Ish-kryeministri Fatos Nano në një rrëfim për periudhën e tij të drejtimit të qeverisë ka thënë se vendimet e marra në zyrën e shefit të qeverisë shpesh herë pavarësisht konsultave bëhen vetë.
Nano tregoi edhe rastin e vitit 1998 kur ndodhi revolta e Burgut të Tiranës dhe Ministri i Brendshëm Neritan Ceka la zyrën dhe çështja e revoltës u zgjidh na Kryeministria ndërkohë që në mëngjes Ceka tha se e kishte zgjidhur ai çështjen.
“Unë kam qenë në zyrën e Kryeministrit të Shqipërisë deri në 2005, pothuajse çdo 4 vjet. Që do të thotë 2-3 herët e para unë nuk kam arritur të shpalos programin, ishin kohë emergjencash, ishin konflikte të nxitura nga palët politike, opozita ishte shumë më pak operuese , ishte agresive. Dhe mua më duhej të zhvendosesha nga kontrolli i një përpjekjeje për të shpërthyer burgun e Tiranës siç ndodhi në Mars ‘98 tek situata në brigadën ushtarake të Shkodrës ku kishin sulmuar për të vjedhur armët. Do thuash kur ngele vetëm?
Në momentin që unë dhe Ndre Legisi që ishte sekretar i shtetit, po komunikonim pa ndërprerë telefonikisht për masat që duhej të merrnim, ishte e nevojshme të prisnim sepse FNSH ishin në Shkodër dhe u duhej 2 orë të vinin nga Shkodra në Tiranë dhe mbi të gjitha ishin specialistë që njihnin planimetrinë e burgut dhe dinin të vepronin në këto lloj situatash.
Në orën 9 në mbrëmje, në një nga telefonat me Ndrekën, Ndreka më thotë: Neritani iku, ministri, Më dorëzoi telefonin dhe çelësat dhe më tha: Ika se ra shteti.
Dhe iku vërtet. Dhe unë vazhdova me Ndrekën derisa me ndihmën e radio “Kohës”, bëmë një fushatë diversioni pozitive në mes të të rebeluarve dhe e ndamë shapin nga sheqeri, derisa u kthen FNSH nga Shkodra.
Dhe sa kisha rënë të fle në 5 të mëngjesit më merr Neritani, ministri dhe më thotë: E zgjidhëm ne situatën. Në raste të tilla ngelesh vetëm. Nivelin e përgjegjësisë që i takon Kryeministrit, nuk e merr askush tjetër”-tha Nano në rrëfimin e tij në emision “Opinion”.