Tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe më pas pandemia Covid-19 vunë në vështirësi arkëtimet buxhetore të planifikuara për vitin 2020.
Për të përballuar emergjencën, qeveria nëpërmjet disa akteve normative, uli pagesat për kontratat koncesionare PPP nga 12,8 miliardë në fillim të vitit në 7.9 miliardë lekë përmes aktit normativ numër 28. Shuma e e pagesave u rishikua me ulje për shkak të pezullimit të përkohshëm të të paktën katër kontratave.
Por në aktin tjetër normativ, qeveria ka vendosur të rrisë sërish pagesat për kontratat PPP me rreth 1,8 mld lekë (14 mln euro) ose 22%. Gjithsej janë planifikuar të paguhen rreth 9,7 miliardë lekë, nga të cilat 4,8 miliardë lekë investime dhe 4.9 miliardë lekë shpenzime korente. Ky plan rezulton me rreth 2.3 miliardë lekë më pak se Plani vjetor fillestar për vitin 2020.
Pagesat totale për vitin 2020 janë rreth 9.63 miliardë lekë ose 99% e planit total të 2020, të ndryshuar.
Për vitin 2020, niveli më i lartë i pagesave është realizuar në dhjetor me 1.68 miliardë lekë prej të cilave 664 milionë lekë është pagesa për kontratën e “Ndërtimin dhe Operimin e Rrugës së Arbërit”.
Për vitin 2021, kufiri i lejuar i pagesave neto për koncesione dhe kontrata PPP, prej 5% e të ardhurave të planifikuara tatimore të vitit 2020, është rreth 20.5 miliardë lekë.
Për këtë vit priten pagesa neto nga qeveria qendrore për PPP, rreth 14.46 miliardë lekë. Sipas rregullit specifik fiskal, kufizimi ligjor këtë vit lejon pagesa 20 miliardë lekë.
Qeveria kishte planifikuar që në vitin 2020, të aplikoheshin ndryshimet rregullatore për përfshirjen e PPP-ve në projektet e investimeve. Megjithatë, për shkak të goditjeve natyrore që Shqipëria përjetoi nga tërmeti i nëntorit 2019, dhe pandemisë Covid-19, Ministria e Financave ka shtyrë procesin e bashkimit të Drejtorisë së Programit të investimeve dhe Drejtorisë së Monitorimit të PPP-ve.
Në dokumentin e reformave Ekonomike 2021-2023, qeveria sqaron se përfundimi i këtij procesi kërkon një skemë të studiuar mirë./B.Hoxha
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor