Vendosni fjalën kyçe....

138 mijë mjete të regjistruara nuk janë të siguruara


Në dhjetor 2020, Instat publikoi për herë të parë numrin e automjeteve aktive ose të çregjistruara përkohësisht në Shqipëri.

Për vitin 2019, ky numër ishte rreth 629 mijë automjete. Shifra e numrit të mjeteve krijon mundësinë për të krijuar një ide rreth problemit të automjeteve të pasiguruara. Mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, për vitin 2019 kompanitë e sigurimeve raportuan 491 mijë polica sigurimi të shitura në klasën e sigurimit motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta. Nga raporti mes këtyre shifrave rezulton se vetëm 78% e mjeteve të regjistruara janë siguruar sipas kërkesave të ligjit për sigurimet e detyrueshme motorike. 22% e totalit ose rreth 138 mijë mjete rezultojnë të pasiguruara.

Shifra duket shumë e lartë dhe me siguri një pjesë e madhe e këtyre mjeteve nuk qarkullojnë rregullisht. Veç atyre që janë të çregjistruara përkohësisht, ajo mund të përfshijë edhe shumë automjete që nuk janë çregjistruar për shkak të neglizhencës dhe sidomos për të shmangur pagesën e detyrimeve, fenomen ky që ka qenë historikisht problematik në Shqipëri. Megjithatë, edhe duke llogaritur këtë faktor, drejtuesit e kompanive të sigurimit pretendojnë se mjetet e pasiguruara janë një problem i madh për tregun dhe numri i tyre mund të jetë rreth 100 mijë.

Mossigurimi i mjeteve është shqetësim i madh për siguruesit. jo vetëm për shkak të të ardhurave të munguara nga sigurimet TPL, por edhe për shkak të dëmeve që këto mjete mund të shkaktojnë. Sipas ligjit, pagesa e dëmeve nga mjetet e pasiguruara është detyrim i Fondit të Kompensimit të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve, që financohet direkt nga kompanitë e sigurimeve. Që nga fillimi i vitit 2016, Fondi ka paguar rreth 25 milionë euro dëme, një pjesë e madhe e të cilave ishin të bartura prej vitesh. Byroja e Sigurimeve ka të drejtë të ngrejë në vijim padi regresi ndaj përgjegjësve të aksidenteve, për të kërkuar shumën e dëmit të shkaktuar.

Rimarrja e dëmeve nga shkaktarët e aksidenteve është një proces i vështirë, për shkak të funksionimit të ngadaltë të proceseve gjyqësore, por edhe sepse në shumë raste shkaktarët e dëmeve ngelen të paidentifikuar. Për këtë arsye, drejtuesit e kompanive të sigurimit kërkojnë gjetjen e mekanizmave më efikasë për të garantuar sigurimin e mjeteve sipas ligjit. Një nga propozimet e fundit është që mjetet të cilat nuk përtërijnë policën e sigurimit brenda një afati të caktuar të gjobiten dhe të çregjistrohen automatikisht nga sistemet e DPSHTRR. Propozimi është përcjellë zyrtarisht si ndryshim në Kodin Rrugor dhe siguruesit janë në pritje të një përgjigjeje nga qeveria shqiptare.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *