Pesë persona kanë humbur jetën dhe 284 të tjerë janë infektuar me COVID-19, në 24 orët e fundit në Kosovë.
Këto janë të dhënat e fundit që jep Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.
Sipas njoftimit të IKSHPK-së, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 224 pacientë.
“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.951 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 284 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 5 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Dragash 1 rast (81 vjeç), Mitrovicë 1 rast (73 vjeç), Obiliq 1 rast (86 vjeç), Pejë 1 rast (83 vjeç) dhe Podujevë 1 rast (67 vjeç).”– thuhet në njoftim.
Sëbashku me shifrat e reja, numri total i rasteve pozitive me Covid-19 shkon në 61 688 raste ndërsa numri i vdekjeve arrin në 1 519.