Një lëvizje e mosbindjes civile në Mianmar po merr vrull me mësuesit dhe studentët që kanë dalë të protestojnë kundër grushtit të shtetit ushtarak.
Siç shkruan BBC, demonstruesit në një universitet në qytetin më të madh, Yangon, kanë dalë duke brohoritur në mbështetje të udhëheqëses së burgosur Aung San Suu Kyi dhe kanë vendosur shirita të kuq në veshjet e tyre, në ngjyrën e partisë së saj.
Zonja Suu Kyi dhe udhëheqës të tjerë janë mbajtur të burgosur që prej grushtit të shtetit të ushtrisë. Megjithëse Suu Kyi nuk është parë në publik që nga e hëna, ajo besohet të jetë në arrest shtëpiak, sipas një zyrtari të partisë së saj.
Pasditen e kësaj të premteje, qindra mësues dhe studentë u mblodhën jashtë Universitetit Dagon, duke bërë përshëndetjen me tre gishta – një shenjë që është miratuar nga protestuesit në rajon për të treguar kundërshtimin e tyre ndaj sundimit autoritar.
“Ne nuk do të lejojmë që brezi ynë të vuajë nën këtë lloj diktature ushtarake.”– tha Min Sithu, një student.