Kreu i Shtetit, Ilir Meta ka ngritur shqetësimin lidhur me shifrat e larta të koronavirusit duke paralajmëruar se pandemia po del jashtë kontrollit në vendit tonë.
Meta thotë se kapacitetet spitalore janë të tejmbushura, ndërsa nuk ka asnjë plan vaksinimi përveç propagandës.
Meta i ka bërë thirrje Qeverisë të mos bëjë sehir dhe të mos i trajtojë qytetarët si statistika.
Postimi i plotë:
Pandemia COVID-19 në vendin tonë po del jashtë kontrollit.
Në 24 orët e fundit, është regjistruar numri më i lartë i qytetarëve të infektuar, krahasuar me çdo ditë tjetër.
Një tjetër shifër tronditëse është shënuar edhe sa i përket jetëve të humbura.
Kapacitetet spitalore për të pritur shtrimet e reja ditore, rezultojnë të tejmbushura.
Ndërkohë veç propagandës, asnjë plan nuk ka për nisjen e vaksinimit masiv të popullsisë.
Duke shprehur shqetësimin më madh për këta tregues të dhembshëm, i bëj thirrje Qeverisë të mos bëjë sehir dhe as mos t’i trajtojë qytetarët, si numra për statistika ditore, duke i lënë në mëshirë të fatit.
Çdo shqiptar meriton të trajtohet me dinjitet dhe të ketë të gjithë asistencën e domosdoshme këshillimore dhe shëndetësore nga ana e shtetit, për të përballuar pasojat e rrezikshme të pandemisë.
Është e patolerueshme të numërohen çdo ditë të infektuarit dhe jetët e humbura dhe të mos merret asnjë masë për të frenuar COVID-19.
Nevojitet urgjentisht, një strategji e re dhe efikase, për të frenuar pandeminë, përmirësuar kushtet në spitale, mbështetur financiarisht të prekurit dhe familjet e tyre dhe rritur nivelin ndërgjegjësues të popullatës.
Çdo vonesë është kosto e madhe për qytetarët, shëndetin dhe jetën e tyre dhe kjo është jo vetëm e pafalshme, por edhe e dënueshme.
Gjithashtu, ju bëj apel qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë me rigorozitet rregullat antiCOVID.