Policia e Tiranës ka finalizuar një operacion për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Është arrestuar një shtetas i dënuar nga drejtësia italiane për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Ai rezulton me dy emra, Albert Bulcari dhe Mirash Hani.
Sipas policisë, Bulcari rezulton i dënuar në Itali me më shumë se pesë vite burg.
Operacioni është zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Interpol Tirana.
“Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me ZQK Interpol Tirana, në rrugën ‘Myslym Shyri’ ka bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin provizor të shtetasit Albert Bulcari alias Mirash Hani.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e e Apelit Torino/Itali e ka dënuar me 5 vjet, 3 muaj e 7 ditë burg për veprat penale ‘Trafikimi i lëndëve narkotike’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’, parashikuar nga Kodi Penal italian.”– njofton policia.
Ndërkohë autoritetet vijojnë procedurat për ekstradimin e të arrestuarit drejt Italisë, ku ka për të kryer dënimin.