Vendosni fjalën kyçe....

PD prezanton programin për Rininë, Ina Zhupa: Shqipëria në gjendje emergjence, papunësia e ulur këmbëkryq te rinia


Partia Demokratike po prezanton sot Programin për Rininë, për zgjedhjet e 25 prillit. Fjalën e ka marrë e para zëdhënësja e kësaj force politike, Ina Zhupa, e cila dolit për largimin masiv të të rinjve nga Shqipëria.

Ajo u shpreh se që nga viti 2014 e deri sot, janë larguar nga vendi 183 mijë të rinj nën moshën 34 vjeç. Sipas saj rinia ka humbur besimin dhe se vendi po humbet brezin e ardhshëm.

Zhupa përmend shifrat e papunësisë, si dhe vështirësitë me të cilat përballen të rinjtë që duan të krijojnë familje, të rrisin fëmijë dhe kostot që duhet të përballojnë. Sipas saj, kryedemokrati Lulzim Basha do mund të sjellë ndryshimin.

“Unë si nënë e një djali 20 muajsh, i di shumë mirë kostot që duhen, për të përballuar mirë rritjen e fëmijës. Si mund të mendojnë për të bërë fëmijë, për të blerë një shtëpi, një çift i ri pa asnjë përkrahje?

Shqipëria ka humbur rininë në këto 8 vite dhe rinia ka humbur shpresat dhe Shqipërinë.

Është koha për zgjidhje, është koha për angazhime konkrete dhe një qeveri që punon për shqiptarët dhe për rininë.  Rinia fiton me programin tonë!  Unë besoj se Lulzim Basha do ta sjellë ndryshimin:

Të na kthejë rininë, të na kthej shpresën!”– thotë zëdhënësja e PD-së.

Zhupa shprehet e bindur se Lulzim Basha do jetë kryeministri që do dalë pas zgjedhjeve të 25 prillit.

DEKLARATA E PLOTË E ZHUPËS

Kur punoja për programin e rinisë, emergjenca e situatës ku jemi sot, ishte shtysa kryesore që të angazhohesha çdo ditë e më shumë për të gjetur zgjidhjen sa më të mirë.

Shqipëria është në një gjendje emergjence.

183 mijë të rinj që nga 2014 deri sot, nën moshën 34 vjeç janë larguar nga Shqipëria. 78.6% e kërkesave për azil në BE janë të rinj në moshën deri 34 vjec.

Ata që nuk janë larguar ende – duan të largohen nga vendi.

Ne po humbasim brezin tonë të ardhshëm.

Ne po humbasim vazhdimësinë e Shqipërisë.

Po humbasim shpresën.

Dhe kur humbet shpresën, humbet gjithçka.

Arsimi është arma më e fortë që merr një i ri për të përballuar jetën, edhe këtë rinia shqiptare e humbi nga rilindja.

E humbi me një reformë të dështuar në arsimin e lartë, që shkatërroi studentin dhe familjet e tyre, ku merita dhe preferenca nuk vlenin. Rinia humbi edhe më shumë shpresat. Tarifat u rritet nga 15 deri ne 45% sipas degëve të ndryshme duke ju bërë barrë familjeve të varfëra shqiptare dhe shumë të rinj e patën të pamundur të vazhdonin studimet për shkak të pamundësisë për t’i paguar.

E humbi po ashtu me një reformë të dështuar në arsimin profesional, që propagandohej si një nga sukseset që do sillte rilindja. Por jo vetëm që nuk u shtuan të rinjtë që marrin arsim profesional por rregjistrimet në këto shkolla kanë rënë me 20%.

Rinia ka humbur besimin!  50% e të rinjve nuk kanë besim te sistemi arsimor dhe as te drejtësia ne vend. 52.3% e atyre që kanë një diplomë universitare duan të emigrojnë jashtë vendit.

Papunësia është ulur këmbëkryq te rinia. 31,8% e të rinjve që janë në moshën deri 24 vjeç dhe që kanë mbaruar arsimin e lartë dhe nuk vazhdojnë një cikël tjetër studimesh janë pa punë, ata janë “rrugëve”  si shpresëhumburit e mëdhenj. Kjo shifër është më e larta në rajon.

Mundësitë për të krijuar familje, për të rritur fëmijë dhe për të blerë një shtepi i kanë humbur rinisë shqiptare. Nga të dhënat zyrtare, çiftet e reja që sapo kanë krijuar familje si pasojë e mospërkrahjes, mbi 50% të buxhetit të tyre e harxhojnë për ushqime, pra për mbijetesë.

Unë si nënë e një djali 20 muajsh, i di shumë mirë kostot që duhen, për të përballuar mirë rritjen e fëmijës. Si mund të mendojnë për të bërë fëmijë, për të blerë një shtëpi, një çift i ri pa asnjë përkrahje?

Shqipëria ka humbur rininë në këto 8 vite dhe rinia ka humbur shpresat dhe Shqipërinë.

Është koha për zgjidhje, është koha për angazhime konkrete dhe një qeveri që punon për shqiptarët dhe për rininë.

Rinia fiton me programin tonë!

Unë besoj se Lulzim Basha do ta sjellë ndryshimin:

Të na kthejë rininë, të na kthej shpresën!

Të bëjë gjithçka që ne të rinjtë të jemi krenar dhe të lumtur në vendin tonë.

Unë kam besim tek Lulzim Basha dhe ftoj çdo të ri të ketë të njëjtin besim.

Lulzim Basha do jetë kryeministri i rinisë, sepse ne jemi të bindur që kur Rinia Fiton, e gjithë Familja shqiptare Fiton, e gjithë Shqipëria Fiton!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *