Vendosni fjalën kyçe....

Trump hedh poshtë kërkesën për të dëshmuar në Senat


Avokatët e ish-Presidentit Donald Trump hodhën poshtë të enjten një kërkesë të demokratëve për të dëshmuar në gjyqin e Senatit ndaj tij mbi akuzat për nxitje të rebelimit lidhur me sulmin e ndaj Kapitolit më 6 janar.

Anëtarët demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve akuzojnë zotin Trump se nxiti rebelimin kur u bëri thirrje përkrahësve të tij të “luftonin” kundër humbjes së tij në zgjedhje para se të sulmonin Kapitolin.

Pesë persona vdiqën, përfshirë një oficer policie të Kapitolit.

“Presidenti nuk do të dëshmojë në një proces antikushtetues”, tha këshilltari i zotit Trump Jason Miller për agjencinë Reuters.

Në një letër të hapur, avokatët e zotit Trump, Bruce Castor dhe David Schoen, e quajtën kërkesën një “lojë të marrëdhënieve me publikun”.

Avokatët këtë javë hodhën poshtë akuzën për nxitje të rebelimit dhe thanë pretendimet e tij të pabazuara se humbja në zgjedhje ishte rezultat i mashtrimit të përhapur, ishin të mbrojtura nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane për lirinë e shprehjes.

Në një letër të mërkurën, Prokurorët e Dhomës së Përfaqësuesve kishin kërkuar që ish-presidenti të paraqitej personalisht për të dëshmuar nën betim gjatë ose përpara gjyqit, sipas njoftimeve të mediave.

Letra është shkruar nga ligjvënësi demokrat Jamie Raskin, kreu i ekipit të akuzës në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Nëse nuk e pranoni këtë ftesë, ne rezervojmë çdo të drejtë, përfshirë të drejtën për të deklaruar në gjyq se refuzimi juaj për të dëshmuar mbështet përfundimin e fortë lidhur me veprimet e tuaja, që nuk është aspak në avantazhin tuaj,” shkruan zoti Raskin.

Prokurorët nga njëra anë dhe ekipi mbrojtës i ish-presidentit, nga ana tjetër, po paraqesin argumentet për rolin e zotit Trump në trazirat e 6 janarit në Kapitol si dhe mbi ligjshmërinë ose jo të gjykimit. Ata po debatojnë gjithashtu rreth Amendamentit të Parë të Kushtetutës dhe rreth qëndrimit të prerë të demokratëve se trazirat përbënin një kërcënim për tranzicionin presidencial në vend.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *