Vendosni fjalën kyçe....

Xhaçka takohet me homologun e Maqedonisë së Veriut: Ne i kemi plotësuar kushtet e BE-së, keqardhje nëse puna e madhe do zhgënjehej


Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka ka pritur në një takim homologun shqiptar të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmanin.

Ata më pas kanë dalë edhe në një konferencë për shtyp. Gjatë fjalës së saj, ministrja Xhaçka tha se të dyja vendet, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë përmbushur kushtet e BE-së.

Madje shtoi se do ishte keqardhje nëse gjithë kjo punë e madhe do zhgënjehej nga konsideratat subjektive të vendeve anëtare.

“Së pari, të dyja vendet tona, siç e ka konfirmuar edhe vetë Këshilli në Mars 2020, i kanë plotësuar kushtet për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare. Dhe të dyja vendet tona kanë bërë shumë punë për të plotësuar kushtet. Në këtë pikë, dua në fakt të vlerësoj maksimalisht vendosmërinë dhe punën e Kryeministrit Zaev, të qeverisë së tij, të koalicionit qeverisës dhe të faktorit shqiptar, për të çuar përpara integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.

Gjithkush që e njeh rajonin tonë, besoj e kupton që arsyeja përse qoftë në Shqipëri, qoftë në Maqedoninë e Veriut, ka qenë e mundur që të hidhen hapa kaq të guximshme përpara, është sepse ne – pjesa dërrmuese e popullsive tona – besojmë tek perspektiva evropiane. Do të ishte për të ardhur keq, në qoftë se kjo punë kaq e madhe e ky besim kaq i madh do të zhgënjeheshin sërish, për shkak të konsideratave subjektive, politike të vendeve anëtare, në një moment që vlerësimi objektiv, teknik nga ana e Këshillit dhe vendimi i tij në mars 2020 ka qenë pozitiv.”- tha ministrja Xhaçka.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *