Vendosni fjalën kyçe....

Biden thotë se Trump nuk duhet të marrë informacione të inteligjencës: Ka sjellje të çrregullt


Presidenti i SHBA-ve Joe Biden nuk beson që paraardhësi i tij Donald Trump duhet të ketë qasje në informacionet e inteligjencës për shkak të “sjelljes së tij të çrregullt” dhe shqetësimit që ai mund të mos e mbajë gojën dhe ndajë informacionin me publikun. Kështu ka deklaruar presidenti demokrat gjatë një interviste për CBS ditën e premte.

“Unë mendoj se jo.”– tha Biden kur u pyet nga gazetarja Norah O’Donnell nëse Trump, duhet të merrte njoftimet e Inteligjencës.

Ish-presidentët amerikanë tradicionalisht marrin disa informacione inteligjente edhe pasi të kenë lënë detyrën.

Biden e arsyetoi përgjigjen e tij, duke thënë se kjo nuk lidhej me trazirat në Kapitol por me sjelljen e ish-presidentit.

“Për shkak të sjelljes së tij të çrregullt që nuk lidhet me kryengritjen.”- tha Biden, citon Reuters.

I pyetur se cili do të ishte shqetësimi i tij më i madh nëse Trump do të merrte një informacion të tillë të klasifikuar, Biden u shpreh: ”Më mirë të mos spekuloj me zë të lartë. Thjesht mendoj se nuk ka nevojë që ai të ketë… njoftimet e inteligjencës. Çfarë vlere po i jep atij një përmbledhje e inteligjencës? Çfarë ndikimi ka ai, përveç faktit që atij mund t’i rrëshqasë goja dhe të thotë diçka?”– tha Biden.

Shtëpia e Bardhë kishte thënë më parë se kjo çështje ishte nën shqyrtim.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *