Facebook i ka bërë thirrje Mianmarit që të lejojë qytetarët e tij të hyjnë lirisht në mediat sociale. Një mbyllje ‘pothuajse totale’ e internetit është raportuar në vend, pasi ushtria mori pushtetin atje në fillim të kësaj jave me anë të një grushti shteti.
“Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar nga urdhrat për të mbyllur internetin në Mianmar.” – tha drejtori i politikës publike të kompanisë së mediave sociale për Azinë Juglindore, Rafael Frankel.
“Ne i nxisim fuqimisht autoritetet të urdhërojnë zhbllokimin e të gjitha shërbimeve të mediave sociale që njerëzit të informohen.” – shtoi ai.
Facebook konfirmoi të enjten se ofruesve të telekomit në Mianmar u tha që të bllokojnë përkohësisht rrjetin social.
Të shtunën, një grup monitorimi ‘NetBlocks’, raportoi ‘një mbyllje pothuajse totale të internetit’ në vend. Lidhja e internetit atje ka rënë në 16 përqind të niveleve të zakonshme, tha grupi.
Më 1 shkurt, Forcat e Armatosura të Mianmarit arrestuan zyrtarë kryesorë të qeverisë, duke përfshirë kreun e shtetit dhe fituesen e Çmimit Nobel për Paqen, Aung San Suu Kyi dhe presidentin Win Myint.
Ushtria justifikoi marrjen e pushtetit duke pretenduar se zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit 2020, të cilat u fituan nga partia e Suu Kyi, ishin manipuluar. Autoriteti i lartë zgjedhor i vendit kishte hedhur poshtë më parë pretendimet për manipulim të votave.