Presidenti i vendit Ilir Meta ka vlerësuar me Dekoratën e lartë “Nënë Tereza”, Organizatën Shqiptare të Urdhrit të Maltës.
Gjatë vizitës së tij sot në Shkodër, Meta tha se kjo organizatë ka dhënë një shembull humanizmi dhe kontributi të gjithanshëm fisnik, në ndihmë të njerëzve në nevojë.
“Në këtë ditë të bukur, me diell dhe ngrohtësi në Shkodër, pata sot kënaqësinë të vlerësoj me Dekoratën e lartë ‘Nënë Tereza’, Organizatën Shqiptare të Urdhrit të Maltës, një shembull rrezatues solidariteti, humanizmi dhe kontributi të gjithanshëm fisnik, në ndihmë të njerëzve në nevojë.
E dalluar për 25 vite në emergjencat civile, duke filluar me pritjen e vëllezërve kosovarë gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999, më vjen mirë të konstatoj shërbimin humanitar të saj edhe në situatën aktuale tepër kritike të COVID-19, duke ndihmuar me maska, terapi, makineri oksigjeni, por edhe me ushqime rreth 400 qytetarë në nevojë.
Të jesh në shërbim të më të varfërve është akti më sublim për të treguar dashurinë ndaj njeriut, por edhe përkushtimin ndaj Zotit.”- shkruan presidenti Meta.