Vendosni fjalën kyçe....

Rusia dëbon diplomatët evropianë për protestat e Navalny-t, tensionohen marrëdhëniet


Rusia ka dëbuar tre diplomatë nga Gjermania, Suedia dhe Polonia, të cilët iu bashkuan protestave në mbështetje të aktivistit të opozitës, Alexei Navalny, i cili u burgos në fillim të kësaj jave.

Ministria e jashtme ruse tha se të tre morën pjesë në “demonstrata të paligjshme” në 23 Janar, shkruan BBC.

Vendet e origjinës së diplomatëve kanë reaguar ashpër pas dëbimit të diplomatëve të tyre, e po ashtu ka patur reagime edhe nga Britania e Madhe, Franca dhe BE-ja.

Navalny është një kritik presidentit rus Vladimir Putin, i cili ka qëndruar për disa muaj në Gjermani pas problemeve shëndetësore që kishte pasi u helmua, dhe është arrestuar sapo ka mbërritur në Moskë.

Dëbimet u njoftuan vetëm disa orë pasi shefi i punëve të jashtme të BE-së Josep Borrell u takua me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov në Moskë.

Qindra mijëra njerëz morën pjesë në protestat në mbështetje të Navalny-t në të gjithë Rusinë në 23 dhe 31 Janar. Mijëra prej tyre u arrestuan.

Gjermania e denoncoi dëbimin e diplomatëve si “në asnjë mënyrë të justifikuar” dhe tha se nuk do të “qëndronte pa përgjigje” nëse Rusia nuk e rishikonte këtë vendim.

Ndërkohë Suedia tha se pretendimi se diplomati i saj mori pjesë në protestë në 23 janar, ishte i pabazuar dhe tha se ajo rezervonte të drejtën për një përgjigje të përshtatshme.

Polonia nga ana tjetër, tha se dëbimi mund të çojë në “thellimin e mëtejshëm të krizës në marrëdhëniet dypalëshe”.

Ndërsa Borrell në emër të BE-së, tha se ai “dënon me forcë këtë vendim dhe hodhi poshtë pretendimet se ata kryen veprimtari të papajtueshme me statusin e tyre si diplomatë të huaj”.

Të dy vendet, Gjermania dhe Polonia thanë se ata kishin thirrur ambasadorët përkatës rusë për të shprehur shqetësimin e tyre mbi dëbimet – një veprim që mund të çonte në masa të padrejta dhe në dërgimin e më shumë diplomatëve në shtëpi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *