Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi gjatë një bashkëbisedimi me simpatizantë në Kombinat të Tiranës shpjegoi edhe projektin “Mëso dhe Fito” si pjesë e programit të forcës politike që ajo drejton.
Ky projekt sipas Kryemadhit konsiston te të rinjtë që janë në shkollat profesionale dhe duhet të kenë mundësi që edhe të rriten profesionalisht, por njëkohësisht edhe të paguhen dhe të kenë mundësi të ndihmojnë familjen e tyre, ose edhe veten e tyre ekonomikisht.
“Një tjetër investim i yni është taksa 1 për qind që ne kemi vënë për të ardhmen. Duket si e vogël por krijon një efekt, një impakt goxha të madh për buxhetin për arsimin. A duhen taksuar më shumë të pasurit më shumë për taksën e arsimit? Ndoshta po. Por le ta fillojmë njëherë sepse nuk taksohen. Ta fillojmë njëherë të vendosim një taksë 1 për qind, që nuk është vetëm për të pasurit, por kushdo do ta paguante taksën e arsimit, në momentin që do të shikonte që kjo do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë në arsim.
Por nga ana tjetër, mungesa e një vizioni nga ana e qeverisë, ose ndërtimi i një strategjie për të folur në bazë të batutave, ose duke u marrë me të tjerët, nuk është se ne na krijon hapësira për të rritur punësimin, për të rritur cilësinë e arsimit, për të krijuar hapësira më shumë për vende të reja pune të mirëpaguara, përkundrazi i demoralizon njerëzit. Ne si LSI jemi shumë të qartë në politikat tona. Ne kemi 5 prioritete, shumë të thjeshta, të cilat janë të prekshme dhe të realizueshme menjëherë, duke filluar nga 5 për qind rimbursim të shpenzimeve familjare.
Më pas për të vazhduar te projekti ‘Mëso dhe Fito’ i të rinjve që është një nga projektet shumë më të mira, për shkak sepse të rinjtë që janë në shkollat profesionale kanë mundësi që edhe të rriten profesionalisht, por njëkohësisht edhe të paguhen dhe të kenë mundësi të ndihmojnë familjen e tyre, ose edhe veten e tyre ekonomikisht. Ndërkohë është edhe programi ‘Nga bebja në bebe’ që është për ju të rinjtë. Ne jemi të sigurt në momentin që fillojmë dhe mendojmë për të ardhmen”-deklaroi Kryemadhi.