Më shumë se dhjetë trupa janë gjetur dhe mbi 200 njerëz të tjerë llogariten si të zhdukur një ditë pas pëlcitjes së një pjese të akullnajës në Himalaje në Indinë veriore, duke çuar në një përmbytje masive, njoftuan autoritetet lokale.
Një pjesë e akullnajës Nanda Devi, mali i dytë më i lartë i Indisë, u shkëput në zonën Tapovan të rrethit Chamoli në shtetin Uttarakhand, duke shkaktuar përmbytje dhe duke dëmtuar projektin hidroenergjetik Rishiganga.
Sipas një buletini të lëshuar nga qeveria në Uttarakhand, 18 trupa janë gjetur dhe 202 njerëz figurojnë si të zhdukur deri sot në mesditë.
Një operacion masiv shpëtimi nisi të dielën, ndërsa fotografitë dhe videot e shpërndara në mediat sociale tregojnë përmbytjen masive dhe dëmtimet e mëdha në fshatra.
Forca Ajrore Indiane njoftoi se “kanë nisur misionet e shpëtimit dhe ndihmës ajrore”. India me helikopter dërgoi ekipet e specializuara të shpëtimit, duke përfshirë komandot speciale detare, kurse autoritetet do të vendosin ushtrinë në misionin e shpëtimit.
Të zhdukurit janë kryesisht punëtorë të projekteve të energjisë.
Kryeministri Narendra Modi dje tha se “po monitoron vazhdimisht situatën fatkeqe” ndërsa udhëtonte nëpër shtetin verilindor Assam për të nisur një projekt të autostradës shtetërore. Më vonë ai njoftoi dëmshpërblim për të plagosurit dhe familjet e të vdekurve.
Në vitin 2013, përmbytjet masive në shtet kanë shkaktuar katastrofën më të rëndë natyrore të vendit që nga cunami i vitit 2004 që la të vdekur 5.700 njerëz.