Lëvizja Socialiste për Integrim Dega Durrës ka reaguar në lidhje me thirrjen e Ambasadores Amerikane Yuri Kim që në zgjedhjet e 25 prillit të mos kandidojnë persona që kanë shkelur ligjin e cila shpërndan edhe vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për t’i ndaluar hyrjen Deputetit Tom Doshi në SHBA.
Drejtuesja politike e LSI-së në Durrës Elona Guri, shkruan se ShBA-të kërkojnë që shumica të ketë lista me kandidatë të pastër ndërsa në Kuvend kjo forcë politike e ka mbushur me kriminelë.
“SHBA dhe të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë kërkojnë nga “Rilindja” lista me kandidatë të pastër.
Ajo e mbushi Kuvendin e Shqipërisë dhe bashkitë e vendit me kriminelë e trafikantë duke njollosur demokracinë dhe duke ia lënë mafias të drejtojë jetën e shqiptarëve të thjeshtë.
Shqiptarët meritojnë më shumë se kaq, ata meritojnë që të përfaqësohen nga njerëz me integritet dhe me vlera të larta njerëzore.
LSI ka si filozofi të saj përfaqësimin përmes figurave të reja, të papërlyera që nuk vihen në shërbim të mafias, por profesionistë dhe njerëz me integritet të lartë, me dëshirën e madhe për të ndryshuar Shqipërinë dhe për të shërbyer më së miri si zëri i vërtetë i shqiptarëve”-thuhet në deklaratë.