Vendosni fjalën kyçe....

Këto janë 5 zotimet e Bashës për Mirëqenien Sociale


Këtë paradite, Partia Demokratike ka publikuar Programin e saj për Mirëqenien Sociale, para zgjedhjeve të 25 prillit.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Lulzim Basha bëri një sërë premtimesh, duke nisur nga rritja e pensioneve, tek paratë mujore që do jepen për çdo të porsalindur.

Basha tha se kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij i kanë braktisur personat me aftësi të kufizuara, por ai premton se do t’i bëjë ata pjesë reale e vendimmarrjes së qeverisë së tij.

5  ZOTIMET E BASHËS

  • Rritje të pensioneve 2 herë  më shumë se inflacioni

Kryedemokrati Lulzim Basha, tha se socialistët i kanë braktisur pensionistët, të cilët sipas tij janë të izoluar nga pandemia, janë në mungesë të ilaçeve, janë në mungesë të ushqimeve bazë. Ai shtoi se do të angazhohet për rritjen e pensioneve, dy herë më shumë se norma e inflacionit, gjatë qeverisjes së tij.

“Unë angazhohem për rritjen e pensioneve për 650 000 pensionistët shqiptarë, dy herë më shumë se  norma e inflacionit dhe të paktën 5% në vit! Ne nuk do t’i braktisim kurrë pensionistët tanë, që i dhanë kaq shumë vendit tonë të mrekullueshëm dhe familjeve tona.”– tha Basha.

  • Dyfishim i asistencës ekonomike

Kreu i PD-së tha se familjet shqiptare jetojnë në kufirin e mbijetesës dhe varfërisë, por ai angazhohet se do të dyfishojë asistencën ekonomike për të gjitha familjet në nevojë, menjëherë sapo të vijë në krye të qeverisë.

 “Angazhohem të dyfishojmë menjëherë asistencën ekonomike për të gjitha familjet në nevojë. Nën qeverisjen tonë, askush nuk do të braktiset, shpërfillet dhe nëpërkëmbet.”- premtoi kreu i opozitës.

  • Njerëzit me aftësi ndryshe, pjesë e vendimmarrjes së qeverisë

Pika e tretë e planit të PD-së është për personat me aftësi ndryshe. Basha tha se ata janë lënë të braktisur nga Rama dhe ndryshe nga kryeministri aktual, ai zotohet se do t’i japë një rol më aktiv, duke i bërë pjesë e vendimmarrjes së qeverisë së tij.

“Angazhohem që njerëzit me aftësi të kufizuara do të jenë pjesë reale e vendimmarrjes të qeverisjes tonë dhe jo thjesht përfitues pasivë apo viktima të indiferencës, përbuzjes apo korrupsionit qeveritar. Ata do të jenë pjesë e këshillimeve dhe vendimeve mbi hartimin dhe zbatimin e reformave sociale që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë.”– deklaroi ai.

  • Subvencione të interesave për kredi për shtëpi

Basha u ndal dhe tek kreditë për shtëpi. Ai tha se do të subvencionojë interesat për kredi për shtëpi, për çiftet dhe familjet e reja.

“Angazhohem për subvencionim të plotë të interesave për kredi për shtëpi për 20 000 familje dhe çifte të reja. Për të ardhmen tonë, për ata që kemi detyrë t’ju sigurojmë kushtet më të mira dhe mundësinë për sukses në jetë. Po ua them fare qartë, ne do të paguajmë 100%të interesave bankare, për çdo kredi që një çift i ri apo një familje e re merr për të blerë një banesë. 5000 të tilla në vit gjatë katër viteve të para, 20 000 çifte dhe familje të reja do të përfitojnë subvencionimin 100% të interesave të kredive që do të marrin për banesën e tyre.”- tha Basha.

  • 3 mijë lekë në muaj për çdo bebe

Një tjetër pikë e rëndësishme e këtij plani, është edhe pagesa për bebet. Sipas planit të Bashës, çdo i porsalindur do të përfitojë një shumë parash për çdo muaj, në 5 vitet e para të jetës.

“Çdo familje do të përfitojë për çdo të porsalindur një pagesë mujor prej 3 mijë lekësh të reja, për 5 vitet e para të jetës.”– deklaroi Basha.

Sikurse për çdo program tjetër që ka prezantuar, nga ai për Ekonominë, Arsimin apo Shëndetësinë, Basha theksoi dhe përsëriti disa herë se këto nuk janë thjesht premtime, por angazhime të cilat ai merr përsipër t’i realizojë./Hashtag.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *