Kryeministri Edi Rama ndodhet në një konferencë me gazetarët, ku fokusi është tek situata e pandemisë së Covid-19.
Rama tha se kemi sinjale të arsyeshme se në Shqipëri kanë hyrë variantet e modifikuara të koronavirusit.
“Mirëdita. Kjo është një konferencë shtypi e pazakonshme dhe arsyeja lidhet me domosdoshmërinë për të përcjellë një mesazh të qartë tek të gjithë qytetarët e këtij vendi, në kushtet kur po shohim një rritje të numrave të infektimeve, kur kemi sinjale të arsyeshme mbi hyrjen në Shqipëri të varianteve të reja të virusit COVID-19, kur po rritet infektimi i moshave më të reja dhe faktikisht po ulet dhe mesatarja e moshës së të shtruarve në spitalet e Covid.
Natyrisht që ne jemi shumë të motivuar që të bëjmë gjithçka si duhet, në mënyrë që të mos detyrohemi të kthehemi tek masat e forta kufizuese, por për këtë duhet motivim i gjithsecilit. Ky është një moment për përgjegjshmëri maksimale tek gjithsecili, sepse faktikisht ajo që po konsiderohet kudo si një tjetër valë infektimesh dhe që u vu re me numra që u rritën në mënyrë dramatike pak kohë më parë në vendet e Europës, tani po ndihen edhe këtu.
Natyrisht masat që janë në fuqi, në këndvështrimin e ekspertëve të Komitetit Teknik funksionojnë, por që të funksionojnë duhen respektuar siç duhet.
Ka qenë një qasje më shumë sensibilizuese dhe mirëkuptuese sesa repressive, mirëpo mesa duket nga çfarë konstatohet prej autoriteteve të shëndetësisë që janë në terren, në javët e fundit vihet re një rënie e angazhimit të qytetarëve, duke filluar nga vendosja e maskës kudo jashtë shtëpisë. Duke vazhduar me zbatimin e rregullave të vendosura për njësitë tregtare dhe natyrisht me ato eksese të patolerueshme në lokale të caktuara apo qoftë edhe nga politikanët dhe këtu me politikanët do ta bëj shumë të qartë se nuk kam parasysh vetëm ata që i përkasin partive të tjera, por edhe ata të cilët janë pjesë e Partisë që unë drejtoj dhe shkelin rregullat duke u mbledhur në salla e dhoma me më shumë persona sesa numri i përcaktuar nga Komiteti Teknik. Kjo është e papërgjegjshme dhe e pajustifikueshme.” – tha Rama.