Vendosni fjalën kyçe....

Rama paralajmëron: Do të rriten gjobat për bizneset, Policia do ju detyrojë të respektoni masat


Në konferencën e sotme për mediet, kryeministri Edi Rama u kërkoi tregtarëve e bizneseve në vend që të respektojnë masat anti-Covid, duke i paralajmëruar se në të kundërt do të detyrohen me forcë nga policia.

Rama paralajmëroi se do të kishte rritje të gjobave në rast të shkeljes së masave të vendosura.

 “të gjithë të qartë që masat propozohen nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, por nga ana tjetër ne që jemi këtu, së pari ne në anën e qeverisë, por edhe ju në media, kemi detyrimin të bëjmë më shumë se tjerët, që zbatimi i masave të jetë sa më korrekt.

Siç iu kam informuar më parë, tani është e konfirmuar që Pfizer do të vijojë lëvrimin e sasive të tjera, duke nisur nga mesi i shkurtit. Vaksinat do të shtohen dhe numri i vaksinimeve do të rritet. Ama koha kur vaksinat dhe masa e numrit të të vaksinuarve të këpusë zinxhirin është ende larg. Edhe njëherë e nënvizoj për të gjithë, duke filluar nga tregtarët, të cilët të gjithë fleksibilitetin, mirëkuptimin, motivimin e autoriteteve shtetërore për të mos i ngarkuar psikologjikisht, por edhe për të mos i frenuar në rimëkëmbjen e vështirë pas goditjes që morën vitin e shkuar, nuk duhet në asnjë mënyrë ta marrin si një mundësi për të abuzuar.

Pastaj dhe me radhë të gjithë të tjerët, por tregtarët kanë një përgjegjësi të posaçme, pasi janë në mjediset e tyre, ku është dhe ndërveprimi më i madh mes njerëzve, dhe ku është edhe rreziku më i madh. Nuk është rreziku më i madh në rrugë, në zyra, në shtëpi, por pikërisht aty, ku është dhe ndërveprimi më i madh.

Nëse nuk duan të kthehemi te masat e forta kufizuese, duhet sot të mos kërkojnë të nxjerrin maksimumin, duke vënë në rrezik jetën e njerëzve dhe stabilitetin e sistemit tonë shëndetësor. Policia e Shtetit ka pasur një fleksibilitet maksimal, inspektoratet kanë pasur fleksibilitet maksimal. Ne nuk duam që policia dhe inspektoratet të hyjnë e të dalin nëpër lokale, bare e restorante, sepse sigurisht kjo nuk është më e mira për ecurinë e aktivitetit tregtar, apo nëpër qendrat tregtare, dyqane, etj, por nëse nga ana e tregtarëve nuk ka reagim të menjëhershëm, sigurisht që do të ndodhë kështu. Do të jetë Policia e Shtetit dhe inspektoratet që do ta imponojnë me forcë zbatimin e masave, si edhe me të gjitha gjobat përkatëse, të cilat do t’i rrisin. Së shpejti në ditët në vijim do të rrisim gjobat për lokalet, baret, restorantet, dyqanet. Dhe do të bëjmë një shkallëzim sipas hapësirave dhe sipas kushteve për abuzim.

Unë e kam shumë mik Ermal Mamaqin, por është e patolerueshme që të mblidhen një milet i tërë në atë formë siç ndodhi. Është e patolerueshme, është shembulli më i keq. Lokalet në Bllok, lokalet në zona të caktuara në Tiranë, lokalet më të mira, me më shumë fitime, me më pak dhimbje koke, të bëhen vatra ku kërcen Covid-i me muzikë, është e patolerueshme. Tregtarët, biznesmenët, kanë përgjegjësinë e madhe të jenë pjesë e frontit, duke zbatuar rregullat. Ne nuk do ndahemi e të fillojmë luftën me njëri-tjetrin, kur të gjithë bashkë do ta luftojmë virusin.”- u shpreh kryeministri.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *