Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli u pyet mbrëmjen e kaluar në programin “Debat Plus”, se pse në vitin 2017 e kishte anuluar koalicionin me Albin Kurtin në momentet e fundit.
Pacolli tregoi për arsyet që e shtynë atë në rrugë të kundërt me Kurtin, për bisedat që nuk i kanë pëlqyer me të, mbi të gjitha pyetjet për jetën e tij private. Sipas PAcollit, Kurti i tejkaloi dhe kufijtë e mikut me pyetjet.
“Një takim ishte akorduar të bëhet në mbrëmje dhe unë prisja mysafirët të vinin. Një orë para takimit mora telefonatë nga Kurti ku thotë se do të vij për të diskutuar para kolegëve. Dhe ai vjen aty. Mënyra e diskutimit nuk më ka pëlqyer, pyetjet e tij nuk më kanë pëlqyer. Dhe pastaj ia jap Kurtit një libër, dhe në kapitullin këtë këtë e ke një temë. Praktikisht nga ajo fillon diçka, ai lëmsh të krijohej tek unë. Ai lëmsh u bë aq i madh tek unë saqë në fund u desht të më bindë që të mos shkoj asnjë hap përpara drejt këtij bashkëpunimi’’, ka thënë Pacolli.
“Energjia e qasja e Kurtit më shtyu që të mos eci përpara. Më pyeti për gjëra gjoja private për të cilat nuk do ta pyesja as mikun më të afërt që kam. Kur i kam analizu, e kam pa që kanë një qëllim dhe nuk më ka pëlqy. I ka interesu jeta ime e mëparshme dhe lidhjet e mia me Kremlinin.’”, shtoi ai.
Pacolli është shprehur se për shkak se ka votuar Albin Kurtin si kryeministër ka humbur shumë njerëz nga partia.
“Njerëzit e mi më kanë kundërshtuar që e kam votuar Qeverinë e Albin Kurtit qeveria LVV-LDK… Kur e gjithë opozita shante Albin Kurtin unë e votova qeverinë e tij”– tha ai.
Madje shtoi se pasi nuk e falënderuan për mbështetjen pa kushte që i dha, qeveria Kurti iu hakmor.
“Mu hakmorën duke i anuluar 14 nominime që unë i kisha bërë në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ato ishin nominime sipas ligjit. Ato nominime unë as që i kamë parë, pos që i kam parë që i plotësojnë kriteret.”, tha mes të tjerash Behgjet Pacolli.