Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka prezantuar në Vlorë një kandidate për deputete.
Grisejda Myslimi do garojë në qarkun e Vlorës, dhe në prezantimin e Kryemadhit, kandidatja është pedagoge e ekonomisë në një nga universitetet e Tiranës.
Kryemadhi thotë se ndjehet krenare që të rinj si Myslimi zgjedhin të kandidojnë për LSI-në.
“Grisejda, pedagogia nga Vlora që do të bëhet deputete…
Grisejda Myslimi është njëra nga shumë e shumë të reja dhe të rinj që kanë zgjedhur t’i bashkohet Lëvizjes Socialiste për Integrim.
E diplomuar për ekonomi dhe e specializuar në studime master shkencor në degën Financë – Bankë, në profili “Bankë dhe Tregje Financiare”, ajo u emërua dhe punon pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës, ku kreu studimet master, si zgjedhje e vetë universitetit prej shtatorit të vitit 2013 e në vazhdim.
E brishtë në pamje të parë, por mjaftë këmbëngulëse dhe e vendosur, e thjeshtë dhe me shumë mirësi, ajo mbart vlerat më të mira të familjes së saj vlonjate, por edhe përfaqëson me shumë dinjitet gjithë brezin e saj të rinisë së qytetit ku lindi dhe u rrit.
Unë si kryetare e LSI-së ndjehem krenare që vajza si Grisejda zgjedhin të punojnë dhe të përfaqësojnë LSI-në, dhe me shumë besim, e mbështes kandidimin e saj në listën shumemërore të LSI-së në qarkun e Vlorës, e bindur se votuesit vlonjatë do të kenë mundësinë të zgjedhin dhe mbështesin emrin e saj dhe të LSI-së, si zgjedhjen më të mirë për Vlorën”-shkruan Kryemadhi.