Pas prezantimit që kryedemokrati Lulzim Basha i bëri programit të PD-së për Turizmin, ekspertja demokrate Arjana Çela ka hyrë më në detaje.
Ajo tha se qëllimi i këtij programi është të mundësohet rritja e kontributit direkt të turizmit nga 8% në 10% të Produktit të Përgjithshëm Bruto, duke dyfishuar punësimin në sektorin e turizmit nga 40.000 në 80,000 vende pune.
Çela tha se një qeveri e PD-së do të zgjasë sezonin turistik përmes diversifikimit të produktit turistik në 4 tipologji-turizëm bregdetar, malor, rural, e kulturor.
Ajo shtoi se do të investohet në infrastrukturën e energjisë elektrike, ujit e të trajtimit të mbetjeve e ujrave të ndotura në destinacione turistike kulturore, në përmirësimin e cilësisë së transportit ndërurban, në sinjalistikën e nevojshme të destinacioneve turistike.
Ekspertja e PD-së tha se programi parashikon një ulje të TVSH-në për të gjithë operatorët në industrinë e turizmit në masën 6% dhe se për herë të parë do të stimulojnë edhe kërkesën turistike në vend.
DEKLARATA E ÇELËS
Të gjithë shqiptarët janë tashmë të bindur se ndryshimi po vjen. Një ndryshim për mirë. Që sigurisht do të realizohet nëpërmjet një programi të mirëmenduar, të hartuar nga ekspertët më të mirë dhe që nuk ka premtime por angazhime konkrete për të përmirësuar jetën e çdo shqiptari.
Qëllimi kryesor i programit të turizmit është të mundësojë rritjen e kontributit direkt të turizmit nga 8% në 10% të Produktit të Përgjithshëm Bruto, duke dyfishuar punësimin në sektorin e turizmit nga 40.000 në 80,000 vende pune.
Për të mundësuar këtë qëllim:
– Ne angazhohemi të përmirësojmë klimën e biznesit dhe të sigurojmë stimujt për dyfishimin e kapaciteteve akomoduese. Vecanërisht, vëmendje do t’i kushtohet lehtësimit të procedurave për leje ndërtimi për hotele dhe sigurimin e energjisë elektrike për to.
– Ne angazhohemi të zgjasim sezonin turistik përmes diversifikimit të produktit turistik në 4 tipologji-turizëm bregdetar, malor, rural, e kulturor.
– Ne angazhohemi që cdo projekt investimi me financim të brendshëm në infrastrukturë duhet të dëshmojë përputhshmërinë me objektivat për zhvillimin e turizmit.
– Ne angazhohemi të rrisim numrin e turistëve të huaj me 15% në vit dhe të dyfishojmë netë-qëndrimet për turistët e huaj.
– Do të investohet në infrastrukturën e energjisë elektrike, ujit e të trajtimit të mbetjeve e ujrave të ndotura në destinacione turistike kulturore, veçanërisht malore e rurale të Shqipërisë veriore, verilindore e juglindore.
– Do të investohet në përmirësimin e cilësisë së transportit ndërurban, si dhe
– Do të investohet në sinjalistikën e nevojshme të destinacioneve turistike, vecanërisht për ato kulturore, malore e rurale dhe orientimin e turistëve përmes përdorimit të aplikacioneve dhe teknologjisë.
Qëllimi dhe objektivat e programit të turizmit do të ishin të parealizueshme nëse industria nuk do të mbështetej fort me rregjim të favorshëm fiskal e instrumenta financiarë. Kështu, industria e turizmit do të përfitojë nga të gjitha masat e propozuara në programin ekonomik të Partisë Demokratike, si: Vendosja e taksës së sheshtë 9%, Ulja e sigurimeve shoqërore në vlerën 18%, Ulja e taksave dhe tarifave vendore për bizneset e vogla e të mesme apo edhe anulimi i taksës prej 24 lekë të reja për litër mbi karburantin. Është e padiskutueshme që këto masa do të kenë një impakt imediat në industri.
Përveç këtyre masave, veçanërisht për industrinë e turizmit:
– Do të ulim TVSH-në për të gjithë operatorët në industrinë e turizmit në masën 6%. Trajtimeve aktuale preferenciale në sektor do i vi fundi duke krijuar kështu premisa të një zhvillimi të industrisë mbi baza të konkurrencës së drejtë mes të gjithë aktorëve.
– Do të prezantojmë paketë stimujsh financiarë për mbështetjen e sipërmarrjeve rekreative në zonat rurale e malore dhe për mbështetjen e sipërmarrjeve të një tipologjie të re në vendin tonë si ato të turizmit kurativ apo eko-turizmit me grante, kredi të buta dhe lehtësim barre fiskale për vitet e para të operimit.
– Do të mbështesim programe arsimi profesional dhe universitare me fokus turizmin dhe shërbimet në funksion të turizmit.
– Do të promovojmë destinacionet turistike kulturore e natyrore në tregjet në rritje ekonomike, vecanërisht ato aziatike si dhe
– Për herë të parë do të stimulojmë edhe kërkesën turistike në vend, sidomos ate nga moshat e treta.
Kemi punuar me kryetarin Basha për një kohë të gjatë për të hartuar këtë program si një frymëmarrje të re për Shqipërinë tonë. Burimet e pasura njerëzore, kulturore e natyrore në vendin tonë duhen të menaxhohen mirë për të qenë dhe burim të ardhurash dhe krenari për të gjithë ne!
Ju faleminderit!