Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 32-vjeçar, i cili dyshohet se shpërndante drogëra të forta në doza të vogla.
I riu me inicialet A.R, u kap në kuadër të operacioni policor të koduar “Devijimi”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve.
Gjatë këtij operacioni, u sekuestruan 185 doza me lëndë narkotike heroinë, një sasi lëndë narkotike metadon, dy aparate celular dhe një peshore elektronike.
32-vjeçari që posedonte lëndën narkotike, dyshohet se e shpërndante atë në doza, në zonën e Selitës, Tiranës së Re dhe në disa zona të tjera të Tiranës.
NJOFTIMI I POLICISË
Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për një shtetas që merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike në zona të ndryshme në qytetin e Tiranës, është organizuar puna për goditjen dhe dokumentimin ligjor të kësaj veprimtarisë kriminale.
Gjatë operacionit policor të koduar “Devijimi”, specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në rrugën “Sulejman Delvina“, kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasin A. R., 32 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit fizik dhe të banesës së këtij shtetasi, sherbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 185 doza me lëndë narkotike heroinë, një sasi me lëndë narkotike metadon, 2 aparate celular dhe 1 peshore elektronike.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.