Gjigandi i birrës “Heineken” ka njoftuar planet për të shkurtuar gati 10% të fuqisë së tij punëtore pas një rënie të shpejtë të shitjeve, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Kompania ka treguar se do të shkurtojë 8,000 vende pune, një pjesë e të cilave janë në zyrën qendrore në Amsterdam.
Shefi ekzekutiv i “Heineken”-it, Dolf van den Brink tha se viti 2020 kishte qenë një vit i “përçarjes së paparë”.
Baret janë mbyllur në shumë pjesë të botës për shkak të pandemisë dhe disa vende si Afrika e Jugut, kanë vendosur ndalime të përkohshme për shitjet e alkoolit.
Kompania është prodhuesi i dytë më i madh i birrës në botë dhe i pari në Evropë. Po ashtu kjo kompani zotëron markat e tjera të birrës si Tiger dhe Sol.
Van den Brink, i cili mori drejtimin e kompanisë në qershor, tha se programet e vaksinimit në Evropë, Amerikën e Veriut dhe disa vende më të zhvilluara në Azi do të lejonin një kthim të ngadaltë në tregtinë normale.
“Por ne jemi një kompani globale … vetëm kur e gjithë bota të vaksinohet në një shkallë të caktuar mund të themi se vërtet po dalim prej saj.”- tha ai, citon BBC.
Brazili dhe Meksika, janë dy nga tregjet më të mëdha të “Heineken”, që ende janë duke luftuar me pandeminë.
Ndërsa njoftoi shkurtimet e vendeve të punës, “Heineken” raportoi gjithashtu një humbje neto për vitin 2020 prej 109 milion eurosh, pasi kishte patur një fitim neto në 1.15 miliard euro një vit më parë.