Disa punonjës policie i kanë prishur vizitën në Elbasan kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi, e cila prezantoi nga atje programin e saj për Arsimin.
Efektivët e policisë i kanë kujtuar zonjës Kryemadhi që nuk lejohen grumbullimet me më shumë se 10 veta dhe se vendosja e maskës është e detyrueshme.
Kjo pasi Kryemadhi dhe zyrtarë të tjerë të LSI-së u shfaqën pa maska, në ambient të mbyllur dhe me mbi 10 veta.
Kryetarja e LSI-së i ftoi efektivët të bënin detyrën e tyre duke i vendosur gjobën siç parashikohet nga Akti Normativ, por nuk i ka kursyer dhe disa kritika.
Ajo iu drejtua atyre: “Merruni me bandat këtu njëherë, pastaj hajdeni na vendosni gjoba ne.”
BISEDA:
Polici: Mirëdita si jeni
Kryemadhi: Mirëdita, po ju si jeni
Polici: Si keni kaluar
Kryemadhi: Mirë
Polici: Ky organizim që po bëhet mbi bazë të rregullave anti-Covid, mbi 10 veta nuk lejohet.
Kryemadhi: Po s’jemi mbi 10 veta ne këtu. Ne këtu jemi 7 veta. Në kafe lejohet me pi kafe?
Polici: Po dhe ajo por…
Kryemadhi: Po pse s’erdhët kur ishim live. Vendosni gjobën dhe u drejtohemi gjykatave administrative.
Polici: Okej
Kryemadhi: Merruni me bandat këtu njëherë, pastaj hajdeni na vendosni gjoba ne. Merruni me bandat, merruni me kriminelët, merruni me ata që iu përplasin makinat. Pastaj hajdeni vendosni gjoba për maskat. Mos u bëni ushtarë, as të Taulantit e as të miqve të Taulantit.
Kjo nuk është hera e parë që zonja Kryemadhi merr gjobë për mosrespektim të masave anti-Covid.