Mesditën e sotme, kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi ka zhvilluar një takim që ka zgjatur rreth një orë në selinë blu me kryetarin e PD-së, Lulzim Bashën.
Idrizi tha se nuk ka asnjë dyshim se do të ketë një marrëveshje mes tyre.
“Janë diskutime që bëhen për të përcaktuar valencat, por edhe sinergjitë e nevojshme. Nuk ka asnjë dyshim që PDIU do të jetë në krah të PD dhe do të ketë një marrëveshje, kjo është e qartë dhe nuk ka dyshim. Ne po bëjmë një dyshim shumë më të gjerë se sa kaq. Kjo është një listë e opozitës së bashkuar. Ne po vendosim piketat në ato zona ku PDIU ndihmon për të prodhuar mandate për listën e opozitës së bashkuar. Sigurisht që edhe për PDIU, edhe për partitë e tjera, është dizenjuar një marrëveshje, do të ketë një moment të nënshkrimit të saj. Ndaj dhe them që nuk ka dyshim që do të ketë një marrëveshje. Nuk bëhet fjalë për vende të sigurta apo të pasigurta, por për pozicione, ku valenca e PDIU është e qartë dhe ndihmon për mandate.”– deklaroi Idrizi.
Gazetarët e pyetën kreun e PDIU-së se ai vetë ku do të garojë në zgjedhjet e 25 prillit. E ai u përgjigj: “Unë padyshim, për shumë arsye, preferoj të jem në Tiranë, pasi këtu e kam zhvilluar gjithë aktivitetin tim. Besoj se do të jem në Tiranë”.
Më vonë pritet të tjetë radha e kryetarit të PR-së, Fatmir Mediu që të zhvillojë takimin me Bashën.