Modelja polake Kasia Lenhardt u gjet e vdekur në një apartament në Berlin një javë pas ndarjes nga mbrojtësi i Bajernit të Mynihut e kombëtares gjermane, Jerome Boateng.
Hollësitë e tragjedisë nuk dihen ende por sipas policisë së Berlinit, vdekja e saj nuk po trajtohet si e dyshimtë. Dyshohet se 25-vjeçarja kreu vetëvrasje një javë pasi mbrojtësi njoftoi ndarjen në media.
“Dje rreth orës 8.30 pasdite kishte një operacion policor në Charlottenburg për dyshimin e vetëvrasjes. Një person i pajetë u gjet në shtëpi. Nuk ka indikacione të përfshirjes së palëve të treta.” – tha një burim i policisë së Berlinit, cituar nga Daily Mail.
Modelja e lindur në Poloni ishte në lidhje me futbollistin 32-vjeçar Jerome Boateng prej 15 muajsh përpara se të njoftonin ndarjen në 2 Shkurt.
Ndarja e tyre u zhvillua mes akuzave të ndërsjella: Lenhardt tha se Boateng e kishte gënjyer atë dhe e kishte mashtruar, ndërsa futbollisti pretendoi se ajo kishte sabotuar marrëdhënien e tij me të dashurën e tij të mëparshme.