Kompania e njohur e kartave të kreditit, Mastercard, do të fillojë të lejojë klientët të bëjnë pagesa në disa kriptomonedha të caktuara në rrjetin e saj këtë vit, duke u bërë korporata kryesore e fundit që përqafon monedhat dixhitale.
Duke njoftuar lëvizjen në postimin e saj në blog të mërkurën, kompania theksoi se jo të gjitha kriptovalutat ekzistuese do të mbështeten në rrjetin e saj. Ndërsa nuk specifikoi se cilin do të mbështesë, Mastercard vuri në dukje se jo të gjitha pasuritë dixhitale plotësojnë kriteret e kërkuara.
“Ne presim që konsumatorët dhe ekosistemi si një i tërë do të fillojnë të grumbullohen rreth aseteve të kriptomonedhave që ofrojnë besueshmëri dhe siguri.” – tha nënkryetari ekzekutiv i Mastercard për pasuritë dixhitale, Raj Dhamodharan.
Kompania tha se do të kërkojë kriptovaluta që respektojnë mbrojtjen e konsumatorit, ndjekin procedurat e pajtueshmërisë dhe ‘ofrojnë stabilitetin që u nevojitet njerëzve’.
Kompania shpreson që shtimi i kriptomonedhave në rrjetin e saj do të shënojë një ‘formë krejtësisht të re pagese’ dhe do të krijojë më shumë mundësi si për blerësit ashtu edhe për tregtarët, duke lejuar më shumë biznese të hapen ndaj klientëve të rinj.