Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore në Shkodër, liqeni në kuota maksimale ka përmbytur lagjet periferike


Kreu i Shtetit Ilir Meta ka reaguar mbi situatën e reshjeve dhe përmbytjeve që kanë shkaktuar në zonën e Shkodrës, duke kërkuar shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

Meta i ka bërë thirrje qeverisë të vlerësojë me përgjegjësi situatën në Shkodër dhe paralajmërimet e IGJEUM.

Postimi i plotë:

Qeveria të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në zonat e përmbytura në Shkodër!

Situata e përmbytjeve në Qarkun e Shkodrës, si pasojë e reshjeve intensive dhe shkrirjes së dëborës në basenet e lumenjve Drin dhe Buna, po shkon drejt ekstremeve të paparashikuara.

Liqeni i Shkodrës, që ka shkuar në kuota maksimale ka përmbytur tashmë lagjet periferike të qytetit të Shkodrës, ku niveli i ujit raportohet të jetë 40-50 cm.

Në pak ditë, sipërfaqja e tokës nën ujë nga 1540 hektar është rritur në rreth 4000 ha dhe sipas paralajmërimeve të sotme të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit pritet zgjerim i zonave të përmbytura, veçanërisht në NënShkodër dhe afër Liqenit të Shkodrës.

Alarmi i dhënë dhe situata në terren është shumë serioze dhe kërkon vëmendjen e veçantë të Qeverisë dhe pushtetit vendor, që pa vonesa të mëtejshme duhet të marrin të gjitha masat efektive për evakuimin e familjeve të rrezikuara nga uji, si dhe të bagëtive, që priten të izolohen.

Sot bisedova edhe me Kryetaren e Bashkisë së Shkodrës, znj.Voltana Ademi, e cila më informoi në detaje për gjendjen e rënduar dhe shqetësimin e drejtë të saj për përkeqësimin e mundshëm të situatës, që kërkon një ndërhyrje të menjëhershme nga ana e autoriteteve shtetërore përgjegjëse.

Duke i garantuar të gjithë mbështetjen institucionale, kërkova prej saj, që Bashkia e Shkodrës të jetë në lartësinë e përmbushjes me përgjegjshmëri të detyrave në këtë situatë tepër të rënduar dhe të ketë në fokus kryesor shëndetin dhe jetën e banorëve.

Duke vlerësuar me përgjegjësi maksimale gjendjen e raportuar i bëj thirrje Qeverisë të shpallë urgjentisht “Gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore” në zonat e përmbytura, me qëllim menaxhimin më të mirë të situatës operacionale, për t’u ardhur në ndihmë të gjitha familjeve në nevojë dhe për të patur prioritet absolut mbrojtjen e jetës së çdo qytetari dhe minimizimin e pasojave në pronat dhe pasuritë e tyre.

Përsëris thirrjen drejtuar Qeverisë për të vlerësuar me shumë përgjegjësi paralajmërimet e IGJEUM dhe për të mos i lënë në mëshirë të fatit banorët e Shkodrës, të cilët meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe të kenë të gjithë vëmendjen dhe ndihmën e shtetit, veçanërisht në këtë periudhë tepër të vështirë, të rënduar edhe për shkak të pandemisë COVID-19.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *