Presidenti Meta i ka bërë thirrje qeverisë që të dëgjojë zërin e qytetarëve, aktivistë, botës akademike e personaliteteve vendase e të huaja e të tërhiqet nga çdo projekt arbitrar në Lumin Vjosë.
Kreu i shtetit shkruan në Facebook se Lugina e Vjosës ka një potencial të madh turistik e jo vetë, ndërsa thekson se është i vendosur që me mjete demokratike të ndalojë çdo vendimmarrje arbitrare, korruptive e të dyshimtë në Luginën e Vjosës.
“Përshëndes zyrtarizimin e propozimit të mbi 20 organizatave mjedisore, vendase dhe të huaja, drejtuar Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, për krijimin e Parkut Kombëtar të Vjosës. Qeveria të dëgjojë zërin e komunitetit, aktivistëve të mjedisit, botës akademike, personaliteteve vendase e të huaja dhe të tërhiqet urgjentisht nga çdo projekt arbitrar, që shkatërron këtë pasuri e trashëgimi natyrore kombëtare, me rëndësi të jashtëzakonshme dhe potencial të madh turistik. Jemi të vendosur të vijojmë pa u lodhur përpjekjet tona energjike për të mos lejuar me mjete demokratike çdo vendimmarrje arbitrare, korruptive dhe të dyshimtë të Qeverisë për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Vjosa. E gjithë lugina të shpallet Park Kombëtar! E duam Vjosën dhe do ta mbrojmë!” – shkruan Meta.