Rebelët huthi kanë shënjestruar një aeroport në jugperëndim të Arabisë Saudite, ka thënë koalicioni i udhëhequr nga sauditët që është i përfshirë në luftën në Jemen.
Nga sulmi është ndezur zjarr në një aeroplan komercial. Mediat shtetërore saudite kanë thënë se zjarri është vënë nën kontroll. Nuk janë bërë të ditura më shumë informacione për incidentin.
Aeroporti Abha që gjendet afër kufirit me Jemenin ka qenë në shënjestër të sulmeve edhe në të kaluarën.
Lufta civile në Jemen ka filluar më 2015 dhe deri më tani ka lënë të vrarë më shumë se 100.000 njerëz, duke krijuar krizën më të keqe humanitare në botë.
Rebelët huthi kanë mbështetjen e Iranit dhe kontrollojnë kryeqytetin Sana dhe pjesën më të madhe në veri dhe perëndim të vendit. Ata luftojnë kundër qeverisë së mbështetur nga Arabia Saudite.
Më parë, presidenti amerikan, Joe Biden njoftoi se administrata e tij do të ndalë mbështetjen për “operacionet ushtarake” në Jemen nga ana e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite.
Shumë ligjvënës demokratë dhe republikanë kanë kërkuar që Uashingtoni t’i japë fund përfshirjes ushtarake në konflikt.