Presidenti i vendit Ilir Meta ka folur mesditën e sotme në lidhje me arrestimin e gjyqtares së Krujës, Enkeleida Hoxha pas urdhrit të SPAK.
Në një dalje për mediet nga Vlora, Meta theksoi se për të rëndësi ka që çdo njeri që shkel ligjin dhe abuzon me detyrën të ndëshkohet.
“Për mua është me rëndësi që çdo njeri që shkel ligjin dhe që abuzon me detyrën, të ndëshkohet. S’ka nevojë për komente, pasi duhen prova dhe fakte madje dhe për gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit të lartë.”- tha presidenti shkurtimisht.
Gjatë fjalës së tij, Meta foli dhe për zgjedhjet e 25 Prillit. Ai shprehet se është detyrë e tij t’iu kujtojë shqiptarëve se fuqia e tyre e vërtetë është vota, duke e cilësuar 25 prillin një ditë të jashtëzakonshme.
Sipas Metës, askush nuk mund të ankohet për demokraci dhe nga qeveria në rast se nuk e shpreh vullnetin e tij në mënyrë të lirë.
“Nuk jam këtu për t’u marrë me hallet që ka maxhoranca pasi ato nuk i zgjidh dot unë. Por jam këtu për të kontribuuar në këtë fushatë për dhurimin e gjakut për të gjithë fëmijët që vuajnë nga talasemia dhe gjithë të tjerët që e kanë të domosdoshme.
Së dyti, unë jam në këtë detyrë për të mbrojtur Kushtetutën, për të mbrojtur pluralizmin politik që është në themel të kushtetutës sonë dhe për të mbrojtur zgjedhjet e lira dhe të ndershme që janë edhe në themel të pluralizmit dhe vetë Kushtetutës.
Kështu që kush ka shqetësim nga angazhimi im që t’u kujtoj qytetarëve shqiptarë se fuqia e vërtetë e tyre është vota e tyre, se dinjiteti dhe e ardhmja e tyre është vota e tyre, se përgjegjshmëria ndaj fëmijëve të tyre është vota e tyre dhe askush nuk mund të ankohet për demokraci dhe nga qeveria në rast se nuk merr pjesë në zgjedhje dhe në rast se nuk e shpreh vullnetin e tij në mënyrë të lirë dhe demokratike, larg çdo presioni dhe çdo forme intimidimi.
Kjo është detyra ime, unë do ta bëj këtë detyrë me bindje të plotë, aq më tepër që jam këtu në Vlorë, në vendin e lirisë, të pavarësisë dhe sovranitetit. Jam i sigurt se dhe 25 prilli do të jetë një ditë e rëndësishme, e jashtëzakonshme e afirmimit të lirisë, pavarësisë dhe të sovranitetit.”– tha Meta.