Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me operatorët turistikë në Durrës, me të cilët ka diskutuar për Programin e tij për Turizmin.
Gjatë bisedës me sipërmarrësit e agjencive turistike, Basha tregoi se çfarë do të bëjë për të kthyer në standardet e duhura turizmin shqiptar.
Ai foli për një rritje prej 15% çdo vit dhe një rritje prej të paktën 2% nga 8 në 10 e sektorit të turizmit në vetvete ku natyrisht nuk përfshihet sektori i agjencive të udhëtimeve ku bashkë me të volumin në ekonomi është më shumë se dyfish. Po ashtu theksoi se PD-ja kur të vijë në pushtet do të hapë 110 mijë vende të reja pune.
Lulzim Basha: Unë e kam nisur me një komunikim të drejtpërdrejt me të gjithë operatorët turistikë në Shqipëri. Për vet rolin që Durrësi ka, ka qenë jo vetëm ndër të parët por dhe ndër konsultat më të vazhdueshme komuniteti juaj, Komuniteti i Operatorëve Turistikë të Durrësit. Analiza e problemeve, analiza e potencialit të vendit, na ka çuar drejtë një plani pune në angazhime konkrete.
Besoj se e keni ndjekur shpalosjen dje. Janë objektiva realiste, të zbatueshme, por që pa diskutim në tërësinë e tyre si pjesë e planit, së pari stabilizojnë krizën e thellë në të cilën është zhytur turizmi shqiptar si pasojë e politikave të gabuara dhe goditjeve të njëpasnjëshme që ka marrë prej tyre. Pa diskutim të rënduara në rastin e Durrësit dhe jo vetëm nga tërmeti, por edhe më pas nga pandemia.
Shpallja e objektivave është hapi i parë, por asnjë objektiv nuk qëndron aty si një premtim, është një angazhim dhe është një rezultat i proceseve dhe reformave që ne kemi propozuar. Disa prej tyre janë reforma që prekin të gjithë ekonominë, siç është taksa e sheshtë 9%, siç është ulja e çmimit të karburantit, siç është reduktimi masiv i burokracisë, i lejeve, i autorizimeve, i kërkesave që kërkon për çdo sektor që aksesohet nga shteti, duke përfshirë dhe sektorin e turizmit. Siç është çështja e çmimit të karburantit por dhe angazhime të tjera që kanë të bëjnë me të gjithë ekonominë. Një pjesë është e fokusuar te turizmi. Është e fokusuar te turizmi për të theksuar natyrën e turizmit si prioritet kombëtar brenda planit tonë të zhvillimit ekonomik. Dhe këtu objektivat tona janë të qarta. Një rritje prej 15% çdo vit dhe një rritje prej të paktën 2% nga 8 në 10 e sektorit të turizmit në vetvete ku natyrisht nuk përfshihet sektori i agjencive të udhëtimeve ku bashkë me të volumin në ekonomi është më shumë se dyfish”, – iu tha Basha përfaqësuesve të sektorit të agjencive turistike.
Një prej sipërmarrësve të këtij sektorit, gjatë bisedës me kryedemokratin, tha se si ky biznes nga kriza e thellë po shkon drejt falimentimit.
Sipërmarrësi: Takimin e parë që kemi pasur bashkë, ishim tek zyra ime që aktualisht nuk është më, arsyet pothuajse i dimë tani të gjitha sepse të paktën flas për veten, nuk flas për të gjithë kolegët e mi, që kemi qenë nga më të harruarit si subjekt. Nuk kishim as edhe ndihmën më të vogël, normalisht ndoshta dhe unë ngaqë kisha një eksperiencë 4-vjeçare, nuk arritëm dot ta përballojmë deri në fund pasi menduam që do të kalojë një muaj, dy muaj, tre muaj. Fatkeqësisht zgjati shumë dhe përkrahja ishte zero. Lamë ato 10 punëtorë punonjës të agjencisë, i lamë në shtëpi, edhe u detyruam drejt mbylljes.
Lulzim Basha: Turizmi është një nga sektorët e goditur më fortë kudo në botë nga pandemia, morën ndihmë direkte ekonomike pikërisht për të parandaluar këtë që të ndodhi ty dhe që për fat të keq nuk je i vetmi. Nga informacionet dhe nga bisedat që kam pasur, të vetmit që nuk morën ndihmë direkte ekonomike ishit ju. Kur them ju, sipërmarrja në tërësi ka marrë paketën më minimale të ndihmës ekonomike ndër vendet e rajonit, s’po e krahasoj me vende të tjera.
Dhe kjo e ka çuar krizën që ekzistonte para pandemisë në një alarm të kuq në kuptimin që çdo ditë raportohen dhjetëra biznese që mbyllen, qindra vende pune që humbin. Në një situatë ku ne jo vetëm duhet ta mbajmë stabël punësimin, por na duhet ta rrisim punësimin për të parandaluar apo për të frenuar një tjetër plagë kombëtare që është emigracioni masiv, në veçanti i krahut të të kualifikuar të punës dhe i rinisë shqiptare.
Ndaj edhe prioriteti kryesor në program është ekonomia, është punësimi dhe këtu hyn edhe turizmi si një nga degët me potencialin më të madh për të ndihmuar në arritjen e këtij objektivi, hapjen e 110 mijë vendeve të punës, thithjen e investimeve, krijimin e një klime të përshtatshme të biznesit që do t’i paraprijë kësaj dhe rritjen e të ardhurave individuale dhe familjare të shqiptarëve. Natyrisht kjo që po më thua Elton është shumë e trishtë dhe totalisht e parandalueshme.
Mund të ishte parandaluar nëse qeveria këtu do të kishte marrë minimalisht ato masa që kanë marrë në vendet e tjera kufitare, Maqedoninë e Veriut po them. Por sot ndonëse ky është një problem që ty të ka pllakosur ty personalisht, familjarisht, dhe ato 10 familjet e atyre 10 të punësuarve që s’janë më. Prapë se prapë theksin dua ta vë tek potenciali për nesër se ku jemi sot e dinë të gjithë. Se si kemi ardhur deri këtu po kështu është e qartë, është e qartë edhe për ne. 8 vjet dështime, 8 vjet premtime në stratosferë të pambajtura, 8 vjet kur i zoti I shtëpisë kujdeset vetëm për vete dhe jo për shtëpinë. Pra kur kryeministri dhe qeveria kujdesen për veten dhe jo për njerëzit, padiskutim që këtë impakt kanë sjellë për turizmin , këtë impakt kanë sjellë për të gjithë ekonominë.
Që të dalim nga kjo situatë hapi i parë është që të vij para jush jo me premtime, por me plane unë konkrete dhe me angazhime konkrete. Dhe më një angazhim kryesor që në qoftë se këto angazhime konkrete nuk plotësohen atëherë ai që vjen ju kërkon dhe ju merr votën nuk ka të drejtë të kandidoj prapë pas 4 vjetësh. Kjo është mënyra e vetme për ta nxjerrë vendin nga kriza dhe për të shfrytëzuar potencialin e jashtëzakonshëm. Dhe këtu vij edhe njëherë tek lajmi I mirë. Pavarësisht se ty të ka ndodhur kjo por për fat të mirë je i ri. Përvoja është përvojë, si përvoja pozitive dhe përvoja negative. Prapë se prapë Durrësi dhe Shqipëria kanë një potencial të jashtëzakonshëm. Dhe me gjithë situatën e vështirë që mbizotëron ka dhe do të ketë oportunitete, mundësi shumë të mëdha për ta vënë këtë potencial të jashtëzakonshëm në funksion të ekonomisë së Durrësit, në funksion të ekonomisë së Shqipërisë. Dhe unë jam i bindur që me planin tonë ne do t’ia dalim jo vetëm të shërojmë këto plagë të shkaktuara nga 8 vjet braktisje dhe lënie në baltë, plus keqmenaxhimin e pandemisë, por do t’ia dalim që gjithsecili prej jush të realizojë potencialin tuaj të plotë dhe në këtë moment nuk ka asnjë pengesë që komuniteti, qyteti i Durrësit, bashkia e Durrësit dhe e gjithë Shqipëria faktikisht kur operatorët e sektorit mos kenë asnjë pengesë për të realizuar potencialin e tyre të plotë të përfitojnë.
Basha iu shpjegoi sipërmarrësve edhe unifikimin e TVSH-së 6 përqind për të gjithë operatorët turistikë.
Lulzim Basha: Besoj e keni parë nga plani ynë që ne do të bëjmë unifikimin e taksës e tatimit mbi vlerën e shtuar, të TVSH-së 6% për të gjithë operatorët turistikë. Në programin tonë 6% unifikohet TVSH-ja për të gjithë operatorët turistikë, për të gjithë operatorët turistikë për të gjithë zinxhirin, për të gjitha këto. Dhe një nga masat që prek gjithë ekonominë por dhe ju në veçanti është inspektoriatet. Inspektoriatet do të kenë një moratorium 12 mujor deri në një reformim sipas modelit Europian. Që do të thotë 12 muaj nuk do të ushtrojnë absolutisht asnjë nga sjelljet, pranitë terrorizuese me biznesin dhe pas kësaj me modelin europian që do ti reformojmë këto inspektoriate, ajo që duhet të prisni ju është një rezultat i ngjashëm më atë që ndodh në Europë.
7 deri në 10 % e biznesit kontrollohet sipas analizës së riskut, por nuk vijnë inspektorët nga mëngjesi deri në darkë duke shkatërruar nervat , duke shpërdoruar kohën, energjitë e sipërmarrësit në çdo fushë, e në veçanti sektorit të turizmit i cili vuan pastaj nga problem i tretë i cili parashtrove nga fakti që sezoni këtu mbetet tmerrësisht i shkurtër për potencialin që ka vendi. Dhe në funksion të zgjatjes së sezonit duhen marrë disa duhen ndërmarrë disa hapa. Një nga hapat kryesorë që duhet ndërmarrë është padiskutim kualifikimi i forcës punëtore.
Dhe këtu duhet të përsëris diçka që besoj tregon thellësinë e angazhimit tonë ndaj këtij sektori: Sot akoma në opozitë, për këto javë që na ndajnë nga 25 prilli dua t’iu deklaroj me përgjegjësi të plotë që kemi vendosur kontaktet dhe jemi gati të institucionalizojmë bashkëpunimin me institucione Europiane të trajnimit në fushën e turizmit me traditë mbi 100-vjeçare.
Në të dyja format edhe me pranimet e tyre fizike në Shqipëri edhe në formatin online dhe kjo do të mundësojë që një trekëndësh bashkëpunimi mes qeverisjes si përfaqësusese i interesit publik, promovuese e interesit publik dhe vendimmarrëse politike midis jush sipërmarrjes, në këtë rast sipërmarrjes turistike dhe përmes botës akademike si pika e tretë e këtij trekëndëshi ne të dalim nga kjo situatë paradoksale ku nga njëra anë na duhet krah i kualifikuar pune që nga bazë, që nga kuzhinier, ndihmës kuzhinier, kamarier e gjithçka tjetër deri tek nivelet e larta të menaxhimit dhe nga ana tjetër rinisë nuk i jepet mundësia as të trajnohet dhe as të punësohet në vendin e vet që është një nga vendet më të bukura në botë dhe që e do shumë e detyrohet të largohet të shkojë në vendet e huaja ku pastaj shkëlqen në këto fusha ku mund të shkëlqente në vendin e vet.
Ne kemi kaq shumë dhe nuk e vëmë në funksion, në funksion të kujt? Në funksion të punësimit. Nëse këto potenciale të jashtëzakonshme natyrore që rrethojnë Durrësin, kulturore, trashëgimisë kulturore një qytet 3 mijë vjeçar, e shumë e shumë të tjera vihen në funksion bëhen pjesë e turizmit si një lokomotivë që tërheq një zinxhirë të tërë zhvillimi, atëherë Shqipërisë nuk i mungon absolutisht asgjë që të arrijë të njëjtën përqindje të turizmit si punësues, si punëdhënës si vendet e tjera të rajonit dhe me të njëjtat paga.