Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është takuar sot me ministrin e Jashtëm të Hungarisë, Péter Szijjártó.
Menjëherë pas këtij takimi, Basha ka dalë në një deklaratë për mediet ku ka treguar se për çfarë ka biseduar me Szijjártó-n.
Basha tha se i ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që Hungaria ka dhënë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së, ndërsa shton se e ka garantuar se pas 25 prillit do të nisë një epokë e re për vendin tonë lidhur me synimet për anëtarësimin në BE.
“Pata kënaqësinë të mirëpres ministrin e jashtëm të Hungarisë zotin Szijarto, në një vizitë në Selinë e Partisë Demokratike, të një vendi mik, të një populli mik me të cilin ndajmë një miqësi të hershme që nga koha e Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe i Janosh Huniadi.
I shpreha ministrit të jashtëm Szijarto mirënjohjen e thellë timen dhe të Partisë Demokratike dhe të Opozitës së Bashkuar për mbështetjen që Hungaria i jep Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Për fat të keq kemi humbur 8 vite, Shqipëria ka mbetur në vendnumëro, s’ka bërë dot asnjë hap përpara për shkak sepse kryeministri në ikje Edi Rama ka vënë interesat e tij personale dhe politike mbi interesat e shqiptarëve dhe ka bllokuar integrimin europian të vendit.
E garantova se pas 25 Prillit do të kemi një erë të re të bashkëpunimit me Hungarinë dhe me vendet e tjera anëtare të Bashkimit Europian, me qëllim përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian duke nisur me plotësimin e të gjitha kushteve që do të çojnë në hapjen e negociatave. Ishte pikërisht dështime i këtyre 8 viteve të Edi Ramës që nga 3 u bën 5, 9 dhe pastaj 15 kushte dhe do të jetë ndryshimi i 25 Prillit që do të bëjë të mundur zhbllokimin e rrugës europiane të Shqipërisë.
Procesi i anëtarësimit duke filluar me hapjen e negociatave do të ndihmojë po kështu në përmirësimin e klimës së biznesit dhe besimit të investitorëve të huaj. Kjo do të thotë më shumë garanci për investimet e huaja, më shumë garanci për punësim dhe mirëqenie për qytetarët shqiptarë.
Këto janë çështjet që ndava me ministrin e jashtëm hungarez dhe e garantova se Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar do të bëjnë gjithçka që pas 25 prillit edhe procesi i Integrimit Europian do të jetë një sukses siç arritëm sukseset e mëparshme për shqiptarët, duke futur vendin në NATO, duke hequr vizat për qytetarët shqiptarë, duke nisur me sukses procesin e anëtarësimit së Shqipërisë në Bashkimin Europian, na takon që së bashku me gjithë shqiptarët pas 25 prillit të hapim negociatat, të përmirësojmë klimën e biznesit, të sjellim investimet europiane, natyrisht është hungareze në Shqipëri në funksion të punësimit dhe të mirëqenies së shqiptarëve.“- deklaroi kreu i PD-së.