Vendosni fjalën kyçe....

Diskriminimi i shqiptarëve si politikë


Kohë më parë një gjykatë në Beograd hodhi poshtë si të pabazë padinë e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve nga Lugina e Preshevës kundër ministrit serb të Mbrojtjes Aleksandar Vulin për përdorimin nënçmues të emrit të shqiptarëve. Në vazhdim, KDP-ja sjell vështrimin e shkrimtarit Sasha Iliq në të cilin ai  thotë se vendimi i gjykatës nënkupton diskriminimin e hapur të minoritetit shqiptar në Serbi.

Shkruan: Sasha ILIQ/Beograd

Nëse këpucët sportive janë nga shitës ambulantë, atëherë ato në trendin urban thirren „shiptarka“. Nëse dikush është i shëmtuar, atëherë ai ka ‘fytyrë shiptari’. Nëse është refugjat nga Kosova atëherë ai është ‘shiptar’. Nëse profesori në shkollë mbanë ligjëratë për tolerancën, atëherë ai merr nofkën ‘shiptar’.

Nëqoftëse dikush kritikon pushtetin, atëherë ai është armik i Serbisë dhe detyrimisht ‘shiptar’. Kur dikush flet në dialektin kosovaro-resavian, për të thuhet se ka ‘theks shiptar’. Kur një grup i tifozëve nga Beogradi nis qërimin e hesapeve me grupin tjetër, thonë se po shkojnë që t’i ‘ç’jerrin shiptarët’.

Po qe se shpërthen ndonjë protestë e ndonjë pakice pa të drejta, thuhet se ka ndodhur ‘shiptarizimi i atij vendi’. Kur Aleksandar Vulin, si ministër i Ushtrisë gjatë vitit 2019 deklaroi se angazhohet për ‘kufizimin sa më të shpejtë dhe më të sigurt me shiptarët’, atëherë ai nuk mendon asgjë të mirë për fqinjët shqiptarë në Kosovë.

Përkundrazi, deklarata e tij mbështetet pikërisht në traditën e gjatë të përdorimit pezhorativ  të etnonimit që në gjuhën serbe mori një shkallë të tërë të domethënieve shprehimisht negative dhe nuk ka kurrfarë lidhjeje me fjalën ‘shqiptar’ të cilën e shfrytëzojnë vet shqiptarët. Prandaj, kur Vulin thotë ‘shiptar’, dhe kur ministrja kosovare e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj –Stublla thotë ‘shqiptar’, kjo nuk është e njëjta gjë.

Këtë e din fare mirë edhe ministri Vulin i cili tetorin e vitit të kaluar e quajti qëllimisht ‘shiptare’ ministren kosovare. Gjatë po atij muaji ministri Vulin pati një vistër paraqitjesh raciste, sepse ky term në gjuhën serbe dehumanizon entitetin i cili mishërohet me të.

Në mungesë të politikës, dialogut dhe të përgjigjeve të qëlluara, politikanët serbë shumë kollaj i rreken këtij lloji të diskriminimit të bashkëbiseduesve shqiptarë. Këtë e bëjnë veçmas ata politikanë të cilët kanë qenë ose vazhdojnë të jenë të ngarkuar për koordinimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Marko Gjuriq, ambasadori aktual i Serbisë në SHBA, ka shfrytëzuar këtë term të shëmtuar në deklaratat e veta zyrtare përderisa drejtonte Kancelarinë për Kosovën dhe Metohinë, në ballë të së cilës më parë ishte Aleksandar Vulin.

Për shkak të sjelljes së këtillë të Vulinit dhe përdorimit të fjalorit të urrejtjes në komunikimin zyrtar me politikanët shqiptarë, Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shiptarëve, Ragmi Mustafa, paraqiti padi kundër tij në qershor të vitit 2019. ‘Respektimi i pakicave është detyrim edhe ligjor edhe kushtetues i Qeverisë, kurse respektimi dhe pranimi i tjetrit është parakusht për një shoqëri demokratike. 

Në një qeveri demokratike dhe në një shtet demokratik, çdo ministër që në publik ofendon pareshtur pakicat, do të duhej që të paktën të shkarkohet. Shqiptarët nuk janë fajtorë që Qeveria e Serbisë nuk posedon kapacitete demokratike,’- ka thënë Mustafa me këtë rast.

Doli që ky konstatim për mungesë të kapacitetit demokratik ta godasë esencën e qëndrimit të politikës së Vuçiqit ndaj shqiptarëve të Kosovës, por edhe në Preshevë. Së shpejti do të mbushen nëntë vjet nga marrja përsipër e përgjegjësisë për zbatimin e procesit të normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por nga e gjithë kjo nuk doli asgjë, përveç se urrejtja u shtua deri në masën sa ministrat të cilët ofendojnë shqiptarët botërisht, jo vetëm që nuk sanksionohen, por edhe para gjykatës – falen.

Herën e fundit kur një padi e këtillë u gjet para ndonjë gjykate në Serbi  ishte nga fillimi i vitit 2017, kur pas padisë së Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut kundër Informerit, Gjykata e Apelit në Beograd nxori aktgjykimin që ‘termi ‘shiptar’ për pjesëtarët e nacionalitetit shqiptar të cilët jetojnë në Kosovë e Metohi në gjuhën serbe të konsiderohet përmbajtje politikisht jokorrekte dhe ofenduese’.

Në fakt, ‘shiptari’ në diskursin e medias dhe të politikanëve vendorë ishte trajtuar deri tani si gjuhë e urrejtjes, por para dy ditësh  më nuk është kështu, pasi Gjykata e Lartë në Beograd hodhi poshtë si të pabazë padinë e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve kundër ministrit Aleksandar Vulin.

Një epilog i këtillë i procesit gjyqësor prodhoi entuziazëm të përgjithshëm në Lëvizjen e Socialistëve që doli menjëherë me kumtesën e cila vetëvetiu ngërthen diskriminimin dhe degradimin e pjesëtarëve të pakicës shqiptare në Serbi. Nën titullin ‘Fitore e madhe e gjuhës serbe dhe e arsyes së shëndoshë’ Partia e Vulinit porosi si vijon: ‘Sikur Ragmi Mustafa nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Serbi ta dinte më mirë gjuhën serbe dhe historinë e popullit serb, atëherë kurrë nuk do t’i shkonte ndërmend  të padisë Aleksandar Vulinin për përdorimin e fjalës ‘shiptar’, fjalë kjo që vjen nga gjuha e tij dhe me të cilën edhe vet ai ashtu e quan veten’.

Me kanosjen që nuk fshehet: ‘Sikur Shaip Kamberi, i cili merr pagë deputeti nga qytetarët e Serbisë, ta vlerësonte dhe respektonte më shumë vendin që i ka dhënë gjithçka në jetë, nuk do t’ju bënte thirrje të jashtëligjshme të huajve të ushtrojnë presion mbi jurisprudencën serbe për shkak se po gjykon sipas ligjit dhe pse nuk e ka dënuar Vulinin për shkak se flet gjuhën serbe’

Pra, fjala është për një diskrimin të hapur të minoritetit shqiptar në Serbi që është legjitimuar edhe nga gjykata. Pas ‘mbrojtjes së gjuhës serbe’ nga ana e Vulinit, çdo individ, grup ose bashkësi mund të shërbehet me fjalorin e urrejtjes ndaj minoriteteve pa frikë se ka për t’u sanksionuar.

Për Aleksandar Vuçiqin dhe Ana Bërnabiqin ky nuk është kurfarë problemi pasi edhe vet marrin pjesë në këtë përçmim kolektiv të shqiptarëve. Ata gjithësesi që qëndrojnë prapa mirëkuptimit të thellë për ‘gjuhën dhe kulturën serbe’, ashtu sikundër i kupton Aleksandar Vulini i cili u gëzua fuqishëm kur dëgjoi për padinë e Ragmi Mustafës: ‘Ky është kompliment për luftën time konsekuente dhe të vendosur për të vërtetën’, tha me këtë rast ministri Vulin duke theksuar se ky është qëndrim vetëm i tij e jo qëndrim i Qeverisë e as i presidentit Vuçiq.

Mirëpo, fjala këmbëngulëse diskriminuese e një ministri nuk mund të jetë rast i izoluar e as që mund të trajtohet si fjalë e qytetarit Aleksandar Vulin, sepse është përdorur përderisa po e kryente detyrën e ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Serbisë.

Po ashtu, kumtesa e Lëvizjes së Socialistëve pas ‘fitores’ së Vulinit zbulon një formë të thellë të diskriminimit, sepse afirmon tezën se gjithkush që është nën jurisdiksionin e republikës, qoftë pakicë ose jo, e ka për borxh të durojë terrorin verbal e çdo tjetër të shumicës, të stereotipeve të ndërthurura të falimit të rrugës që ngritet në nivelin e oratorisë më të lartë të politikës.

Prandaj ata u bëjnë thirrje politikanëve shqiptarë që ‘ta mësojnë më mirë serbishten’ dhe të manifestojnë respekt më të madh ndaj ‘vendit që u ka dhënë gjithçka në këtë jetë’. Kjo domethënë se ofendimet dhe përçmimet nënkuptohen dhe se nuk mund të mbroheni nga gjykatat e vendit prej përfaqësuesve të pushtetit të cilët mund t’ju trajtojnë ashtu sikurse t’ju teket.

Mirëpo, padia që erdhi nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve, ndonëse u kualifikua e pabazë, flet për diçka të kundërt. Ajo është shenjë se shqiptarët në Serbi, si edhe pakicat e tjera, e dinë fort mirë edhe gjuhën dhe kulturën serbe, si atë zyrtare ashtu edhe atë jozyrtare, të rrugës, të tifozëve, që është bërë pjesë e kulturës politike të pushtetit të Vuçiqit.

Në një ambient të këtillë të ‘arsyes së shëndoshë’ të Vulinit, janë të pakta gjasët për dialog, kurse gati e pamundur për çfarëdo lloji të normalizimit politik.

Marrë nga: Peščanik.net. Përktheu dhe përshtati: KDP

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e KDP

*Shënim: Hashtag.al ka nisur një bashkëpunim mediatik ndërshqiptar me medien Kdpolitik.com me qendër në Maqedoninë e Veriut. Qëllimi i këtij bashkëpunimi është shkëmbimi i përvojave dhe i shkrimeve për një këndvështrim ndryshe të çështjeve që prekin e shqetësojnë shqiptarët.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *