Kryetarja e LSI-së ka theksuar sot se arsimi parauniversitar është një nga prioritetet e partisë që drejton.
Kryemadhi e bëri pohimin gjatë një takimi ku prezantoi synimet e programit të forcës politike të saj lidhur me çështjen e arsimit.
Ajo tha ndër të tjera se paratë e harxhuara për arsimin nuk janë shpenzim por investim për të ardhmen.
“Arsimi parauniversitar për ne si LSI është një nga prioritetet kryesore dhe mendojmë që rëndësia e tij nuk ka të bëjë vetëm për furnizimin e degëve. Ne sot kemi një numër të kufizuar ku mungojnë mbi të gjitha nxënësit, maturantët, ata që janë nga një anë edhe përfituesit e arsimit parauniversitar, por edhe ana tjetër viktimat e arsimit parauniversitar. Maturantët janë pjesa kryesore e zhvillimit të shoqërisë, sepse në fund të ditës ne arsimin nuk e shikojmë si një shpenzim në buxhetin e shtetit, ne arsimin e shikojmë si investim. Të investosh në arsim do të thotë të investosh në brezin e ri, të investosh në të ardhmen e familjeve shqiptare.” – tha Kryemadhi.
Më tej ajo shtoi se sfidat që paraqet arsimi parauniversitar nuk kanë të bëjnë vetëm me rritjen e pagave të mësuesve por ka të bëjë edhe me infrastrukturën mësimore.
Kryemadhi vuri theksin te laboratorët në shkolla ndërsa tha gjithashtu se çështja e arsimit nuk është premtim elektoral por një nga 5 prioritetet kryesore të LSI-së.
“Për ne sfidat e arsimit parauniversitar kanë të bëjnë jo vetëm me rritjen e pagave të mësuesve, por kanë të bëjnë me shumë gjëra të tjera që i kemi diskutuar, edhe për të gjithë infrastrukturën e mësimdhënies. Një mësues kimie apo i shkencave ekzakte do ta ketë të pamundur për të zhvilluar lëndën nëse ai nuk do ketë laboratorë. Një mësues i shkencave ekzakte përsëri do ta ketë të pamundur nëse ai do të jetë i papaguar. Ajo që dua të theksoj është që në programin e LSI në propozimet zgjedhore, nuk kemi të bëjmë thjesht me premtime elektorale por kemi të bëjmë me 5 prioritete kryesore ku dhe programi mëso dhe fito që ka të bëjë drejtpërsëdrejti jo vetëm me shkollat profesionale por dhe me ndikimin e drejtpërdrejt të rritjes së procesit qoftë nga ana profesionale për nxënësit por edhe të një përfitimi financiar për familjet e tyre po dhe për ato vetë.” – vijoi Kryemadhi fjalën.