Kandidatja për presidente e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pohuar mbrëmjen e sotme se pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, qeveria e re do zbatojë një model që është përdorur edhe në vende të tjera, duke sekuestruar pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme.
Ajo theksoi se këto pasuri të sekuestruara do investohen në fushën e sundimit të ligjit e si presidente e re ajo do e dekretojë menjëherë ligjin e qeverisë së re.
“Ajo që ne do të bëjmë është një model i zbatuar në disa vende, që gjithë ato para që do të konfiskohen si pasuri të paligjshme do të investohen drejtpërdrejtë në fushën e sundimit të ligjit. Në ditët e para të qeverisjes do të miratohet Ligji anti-Mafia dhe unë do të dekretojë menjëherë.” – tha Osmani.
Ajo ishte në një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë në RTV Dukagjini me gazetarët së bashku me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti, ku shtoi se qeveria e re do luftojë korrupsionin që aq shumë i ka kushtuar Kosovës duke shtuar mbështetjen ndaj bizneseve të ndershme.
“Meqë ne korrupsionin e kemi shtyllë kryesore, bizneset e ndershme nuk kanë nevojë të frikësohen, përkundrazi po e shohim se po gëzohen me ardhjen tonë. Të gjitha bizneset e ndershme që kanë punuar sipas ligjit janë në mbështetje të reformave që ne planifikojmë për t’i eliminuar pengesat ndaj tyre.” – shtoi Osmani.