Vendosni fjalën kyçe....

Rusia paralajmëron BE-në se mund të shkëpusë marrëdhëniet për shkak të sanksioneve


Rusia është e gatshme të ndërpresë lidhjet me BE-në nëse blloku vendos sanksione të reja. Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Siç shkruan BBC, BE-ja ka paralajmëruar mundësinë e sanksioneve të mëtejshme pas një përplasjeje mbi trajtimin e udhëheqësit të opozitës ruse, Alexei Navalny, i cili është burgosur.

Kur një gazetar pyeti nëse Rusia po shkonte drejt një “shkëputjeje” me BE-në, Lavrov tha “ne jemi gati për këtë”.

“Nëse doni paqe, përgatituni për luftë.”- shtoi ai.

Lavrov tha se një ndërprerje e lidhjeve mund të shkaktohet nga sanksionet e BE-së, që “krijojnë rreziqe për ekonominë tonë, përfshirë këtu në zonat më të ndjeshme. Ne nuk duam të izolohemi nga punët e botës, por duhet të jemi të përgatitur për këtë.”

 Ai po fliste në kanalin rus në YouTube, Solovyov Live.

Javën e kaluar Rusia dhe BE-ja kanë dëbuar tre nga diplomatët e njëri-tjetrit në një mosmarrëveshje të fortë për çështjen e Navalny-t. Rusia filloi e para, duke thënë se tre diplomatë të BE-së kishin marrë pjesë në një protestë të paligjshme pro Navalny-t, një pretendim që është hedhur poshtë nga BE. Njoftimi erdhi gjatë një vizite që po bënte shefi i punëve të jashtme të BE-së Josep Borrell në Rusi.

Tre vendet Gjermania, Polonia dhe Suedia, u kundërpërgjigjën duke dëbuar tre diplomatët rusë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *