Vendosni fjalën kyçe....

U tha se po mjekohej në Itali, doktor Pipero: Jam “Covid free” dhe në Razmë


Është shëruar nga koronavirusi mjeku i njohur Pëllumb Pipero i cili u infektua me COVID-19 vetëm pak ditë pasi kishte marrë dozën e parë të vaksinës së Pfizër.

Ai ka bërë një postim në llogarinë e tij në Facebook, ku shprehet se e ka kaluar sëmundjen por ka ende nevojë për pak ditë rikupërimi.

Po ashtu ai ka hedhur poshtë informacionet që kanë qarkulluar nëpër lajme se ai ndodhet për kurim në Itali. Ai shprehet se ka zgjedhur Razmën për pak ditë pushimi përpara se të kthehet në punë ditën e hënë.

“Të dashur miq!

Pas ditësh pritje, mjekimi në kushte shtëpie, kujdesi kolegësh, dhe interesimi e mbështetje pa fund nga miq, shokë, studentë, qytetarë, politikanë, shtetarë, dhe me dashurinë dhe kujdesin e veçantë të fëmijëve, bashkëshortes, e veçanërisht Milës, Klodit dhe Eneas, jam i “çliruar” nga kthetrat e virusit, jam covid free, por ende me nevojën edhe për pak ditë pushim e rikuperim, ndaj përkundrejt lajmit për klinika jashtë vendit kam zgjedhur ajrin e pastër të Razmës për 3-4 ditë, dhe të Hënën shpresoj të jem në krah të kolegëve të mi të pa lodhur në spitalin e sëmundjeve infektive!”- shkruan doktor Pipero.

Mes të tjerash, Pipero falenderon të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë kohë të vështirë, ndërsa shton se do të flasë për çështjen e personave të riinfektuar, e mbi të gjitha për riinfektimin e tij pas marrjes së dozës së parë të vaksinës.

“Mirënjohje pa fund për të gjithë ju që mu gjendët pranë ndoshta në një nga betejat më të vështira të jetës time.

Do kemi kohë të flasim më gjatë, t’ju përgjigjemi shumë pyetjeve që lidhen me rastet e reinfektimeve, por sidomos të infektimit tim pas marrjes së dozës së parë të vaksinës, që natyrisht nuk është rasti i vetëm, raportohen e janë në studim mjaft raste të tilla në botë. Unë jam një prej atyre që u infektova, ndryshe e pësova! Por sigurisht falë dozës së parë të vaksinës, studimet e provojnë, e kalova më lehtë sëmundjen.

Ndaj ju këshilloj të gjithve, të infektuar e shëruar, të vaksinuar apo në proces vaksinimi, duhet ende shumë kujdes, KUJDES, KUJDES, KUJDES, maska, distanca fizike dhe higjena janë dhe do të jenë të domosdoshme deri në fund të kësaj pandemie!

Ende nuk ka siguri, ndaj ende duhet KUJDES!

Ju kam në zemër!

Mirënjohje pa fund!”– përfundon Pipero.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *