Zëdhënësi i Komunës së Tuzit, njëherazi këshilltari i lartë për marrëdhëniet me publikun, Kristjan Dukaj, i njohur për mediet dhe si analist politik, ka paditur kryetarin e kësaj komune Nik Gjeloshaj.
Siç shkruajnë mediet malazeze, Dukaj e ka paditur Gjeloshajn për bullizëm në vendin e punës.
Sjellim ndërmend se Dukaj në këtë pozicion pune qëndronte që nga maji i vitit 2019, pasi shqiptarët fituan më 3 mars zgjedhjet lokale në Tuz.
Gjyqi ndaj Gjeloshajt fillon në datën 10 mars.
“Pas shterrimit të të gjithë mekanizmave të mundshëm për mbrojtje të bullizmit afatgjatë në punë, unë ngrita një padi në gjykatën kompetente në Podgoricë më 19 tetor 2020, sepse situata ime u bë gjithnjë e më e vështirë ku përballesha me sindromën e tryezës së zbrazët çdo ditë, duke mos marrë detyra pune për një periudhë të gjatë, duke filluar nga 8 maji 2020.”- shprehet Dukaj.
“Nëse i shtoj kësaj ngjarjet e 8 Majit 2020, me ardhjen e kryetarit Nik Gjeloshajt në zyrën time, ku kam kryer punën e përditshme të Këshilltarit të Lartë për Marrëdhëniet me Publikun, dhe më urdhëroi të largohesha nga zyra pa ndonjë sqarim. Unë me këmbëngulje iu drejtova kryetarit Nik Gjeloshaj me shkrim, duke kërkuar një shpjegim për këtë qëndrim ndaj meje, por kurrë nuk kam marrë ndonjë përgjigje.
Bullizmi në vijimësi në vend të punës, duke filluar nga 8 Maji 2020, shkaktoi një numër problemesh shëndetësore tek unë nga situata stresuese me të cilën ballafaqohesha çdo ditë.
Përballë pasojave të rënda të bullizmit iu drejtova të gjitha instancave të mundshme për këtë lloj mosmarrëveshje, duke kërkuar një rrugëdalje i vetëdijshëm për pasojat e mundshme, kryesisht për shëndetin tim të cilat nuk do t’i dëshiroja askujt. Unë besoj në institucionet e sistemit dhe pres një rezultat të drejtë të të gjithë procesit.
Besoj se në këtë mënyrë do të kontribuoj në faktin që situata të ngjashme mos t’i ndodhin asnjë punonjësi, sepse askush nuk është në gjendje të imagjinojë pasojat e rënda të izolimit në punë, sindromin e tryezës së zbrazët, përpjekjet për të nënçmuar dinjitetin njerëzor dhe profesional nga eprorët, bullizëm në vazhdimësi.”– u shpreh Dukaj për mediet malazeze.