Kryeministri Edi Rama nuk është kursyer me etiketimet ndaj gjyqtares së Krujës Enkeleida Hoxha që e ka cilësuar “një monstër”. Por babai i saj Bejlul Hoxha ka bërë një deklaratë të fortë ndaj kryeministrit Rama.
Ai është shprehur para kamerave, se kryeministri i kishte thënë gjyqtares se ajo nuk do ta kalonte kurrë Vettingun.
“Ajo nuk ka bërë asnjë veprim me qëllime të atilla siç flet kryeministri. Kryeministri i tha gjyqtares s’ke për ta marrë vettingun kurrë. Pse? Sepse ajo e gjykoi drejt atë vajzën që e torturon te ai djali i deputetit. E la në burg.
Vajti shoqja e saj dhe e liroi., tani kjo shoqja e vajzës për çudinë e të gjithëve ka vajtur këshilltare në gjykatnë e Lartë. Si ka mundësi more? Ajo po ta meritojë të dalë dhe në Kushtetuese. Jo kaq hapur…O kryeministër mos u merr me të tillë njerëz që janë qelibar se nuk janë ashtu siç mendon ti!.”– tha zoti Hoxha.
Në shtator të vitit 2018, bëri shumë bujë denoncimi i vajzës së re Xhisiela Maloku ndaj djalit të deputetit Rrahman Rraja. Gjykata e Krujës fillimisht vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg” për djalin e deputetit i quajtur Rexhep Rraja. Ishte gjyqtarja Enkeleida Hoxha ajo që pranoi kërkesën e prokurores Mirela Kapo.
Rraja kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë edhe në Apel, por iu refuzua, derisa u lirua përfundimisht në Gjykatën Penale të Krujës. Gjykata e dënoi me 1 vit burg, por me kusht duke pezulluar dënimin dhe duke e kaluar atë në shërbim prove.
Mesditën e sotme, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarë të Tiranës, kryeministri Edi Rama foli edhe për arrestimin e gjyqtares së Krujës Enkelejda Hoxha, të cilën e quajti “një monstër”.
Kjo për shkak të akuzave që rëndojnë ndaj saj, se ka shpërdoruar detyrën duke liruar të burgosur me dënim të përjetshëm.
“Ama fakti është që një gjykatëse, një monstër, që e përdori në mënyrë spektakolare forcën e papërgjegjshmërisë dhe të abuzimit disa kohë me parë dhe u habit gjithë dynjaja me vendimet e sja për të liruar njerëz që ishin me burgime të përjetshme është sot në burg bashkë me gjithë rrjetin e saj. ky përbën shembullin sesi sistemi do të funksionojë.”– shprehej Rama./Hashtag.al