Kreu i PD-së Lulzim Basha, ka zhvilluar një bisedë me të rinjtë e “Këshillit Rinor Ballkanit” me të cilët diskutoi problematikat në arsim si dhe u shpjegoi programin e opozitës për Rininë.
Basha përsëriti pikat e programit “Rinia Fiton” dhe angazhimet për 5 mijë bursa për të rinjtë apo zerimin/përgjysmimin e tarifave universitare dhe praktikave me pagesë.
“Sot në një bisedë me të rinjtë e Këshillit Rinor të Ballkanit, u ndalëm tek problemet e tyre, sikundër diskutuam dhe për programin tonë “Rinia Fiton”, që u jep zgjidhje problemeve kryesore të rinisë shqiptare. Ndalja e largimit të të rinjve, reforma në çdo hallkë të arsimit, mbështetja financiare për studentët nga familjet e varfra, por dhe përfshirja e të rinjve në politikë dhe vendimmarrje, ishin disa nga çështjet për të cilat i njoha të rinjtë e Këshillit Rinor të Ballkanit me detajet e programit tonë për rininë, që do t’i japë zgjidhje këtyre problematikave.
Ne angazhohemi të japim 5000 bursa të plota në vit për të rinjtë dhe të zerojmë apo t përgjysmojmë tarifat universitare në bazë të të ardhurave mujore të familjeve të tyre. Do të ofrojmë mbështetje shtesë për të rinjtë nga familjet me të ardhura nën 64.000 lekë të reja në muaj.
Studentët do të kenë praktika të paguara prej 30.000 lekë të reja në muaj për 12 muaj, për 10.000 më të mirët prej tyre.
Angazhohemi të krijojmë 4 inkubatorë biznesi brenda 4 viteve, për të zhvilluar ide inovatore dhe për të promovuar sipërmarrjen e punësimit në vend. Skema financimi për të gjithë të rinjtë nga zonat e largëta e të varfra të vendit, që duan të fillojnë një biznes.
Sfida ime si kryeministër i ardhshëm mbetet mbështetja dhe punësimi i studentëve pas përfundimit të shkollës”-shkruan Basha.