Të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet në vend do të zhvillojnë mësimin online për javën e ardhshme. Lajmin sapo e ka dhënë vetë ministrja e Arsimit Evis Kushi, e cila thotë se ka arritur në këtë vendim për shkak të të rënies së temperaturave dhe reshjeve të dendura të dëborës.
Sipas ministres, ky vendim është i vlefshëm për periudhën nga data 15 deri në 19 shkurt 2021.
“Sipas parashikimeve të IGJEUM, në vendin tonë pritet një rënie shumë e theksuar e temperaturave dhe reshje të dendura dëbore në pjesën më të madhe të territorit.
Për këtë arsye, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë vendosi të kalojë të gjitha institucionet tona të arsimit parauniversitar në skenarin e tretë të mësimit online për javën e ardhshme, nga data 15 deri në 19 shkurt 2021.
Në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, si dhe të gjitha zyrat arsimore dhe drejtoritë rajonale në vend, po punojmë intensivisht për të marrë të gjitha masat e nevojshme që të garantojmë mbarëvajtjen e këtij procesi.”-thotë ministrja.