Të gjitha hipotezat janë ende të hapura në kërkimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për origjinën e COVID-19. Të paktën kështu ka deklaruar të premten drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Një mision i udhëhequr nga OBSH-ja në Kinë tha këtë javë se nuk po e shqyrtonte më tej çështjen nëse virusi shpëtoi nga një laborator, gjë që e konsideroi shumë të vështirë. Pas kësaj Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të rishikojnë gjetjet e misionit.
Por pas komenteve të shumta, Tedros tha se të gjitha hipotezat mbeten të hapura.
“Disa pyetje janë ngritur nëse disa hipoteza janë hedhur poshtë. Duke folur me disa anëtarë të ekipit, dëshiroj të konfirmoj se të gjitha hipotezat mbeten të hapura dhe kërkojnë analiza dhe studime të mëtejshme.”- tha Tedros, citon Reuters.
“Disa nga ato punë mund të jenë jashtë fushëveprimit të këtij misioni. Ne gjithmonë kemi thënë se ky mision nuk do të gjente të gjitha përgjigjet, por ai ka shtuar një informacion të rëndësishëm që na çon më afër për të kuptuar origjinën e virusit të COVID-19.”-tha ai.
Misioni i OBSH-së ka thënë se hipotezat e tij kryesore janë se virusi e ka origjinën nga një lakuriq nate, megjithëse ka disa skenarë të mundshëm se si ai kaloi te njerëzit, ndoshta së pari duke infektuar një specie tjetër të kafshëve.
Ish-administrata e presidentit të SHBA-ve Donald Trump, e cila u largua nga detyra muajin e kaluar, tha se besonte se virusi mund të kishte dalë nga një laborator në qytetin kinez të Wuhanit. Mirëpo Kina e ka mohuar me forcë këtë dhe thotë se Instituti i Virologjisë në Wuhan nuk po studionte viruse të tilla.