Gjykata kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për mjekun e QSUT-së, Edvin Prifti.
Mjeku do të transferohet në burgun “313” në kryeqytet.
Kujtojmë se mjeku kardiolog, është pezulluar nga puna pasi përgjimet e SPAK-ut ngritën dyshime se ai kishte përfituar para nga sekretarja e gjykatës së Krujës Manuela Mallkuçi, për operacionin e nënës së saj.
Ditën e sotme në një intervistë për “News 24”, mjeku Prifti tha që shuma e parave që i gjetën atij, vinte nga një shitje e pronës së trashëguar që kishte bërë bashkëshortja e tij.
Para se të jepej vendimi për masën e sigurisë, Prifti tha se e priste që ai të burgosej.
“Unë pres të burgosin. Sepse u deklarua, sapo u deklarua në televizion. Mbase do ishte më mirë t’jua jepnin juve prangat si masmedia që jeni dhe të mi vendosni mua këtu”- tha Prifti.
Ai e bëri këtë koment, pasi kryeministri Edi Rama e përmendi atë pak më herët në një bashkëbisedim online me qytetarë të Tiranës.
Prifti u shpreh se deklaratat e kryeministrin duhet t’i komentojë i gjithë publiku, nëse ishte urdhër për burgosjen e tij apo thjesht lapsus.
“Deklaratat e kryeministrit duhet t’i komentojë i gjithë publiku. Në rast se nuk ka qenë në dijeni, por thjesht është lapsus, gjë që do dëshiroja ta besoja, pasi mendoj se mund të ketë qenë lapsus, në të kundërt mund të ketë një urdhër që ai iu ka dhënë prokurorisë dhe drejtësisë shqiptare. Nuk di ta them nëse është presion, urdhër apo lapsus, por kjo gjë do të vërtetohet tani, sapo të hyj në gjykatë. Unë jam Edvin Prfiti, jam këtu, pas një kontributi të jashtëzakonshëm në shëndetësinë shqiptare, që në vitin 2006, sepse e gjeta vendin me dy chartera që mbusheshin për të shkuar në Turqi për operacion. Sigurisht që unë kam mbajtur qëndrimet e mia dhe do t’i mbajë. Unë kam qenë ai që denoncova Covid-19, teksa njerëzit flisnin për një grip të thjeshtë. Kam qenë ai që kam qenë në mbrojtje të studentëve, kam dhënë kontributet e mia për një reformë në shëndetësi.”- u shpreh mjeku.
Lidhur me paratë që iu deshën, mjeku i QSUT deklaroi se “Kjo ka qenë një marrëdhënie mes dy motrave që kanë bërë shitjen e njëra-tjetrës të bashkëpronësisë që ata kishin. Duke qenë se edhe blerja e një objekti të dytë në ndërtim do të bëhej me këst, bashkëshortja ime mendoi t’i kishte lekët kështu, që t’i përdorte sapo të kishte nevojë. Është edhe besimi që ajo dhe unë kishim te institucionet bankare. Ajo preferoi të bënte këtë blerje në këtë mënyrë. Unë mund të kisha edhe më shumë para në shtëpi, sepse 12 vite që kam punuar jashtë vendit, sigurisht që i kam sjellë paratë cash në shtëpi. Unë mund të kisha edhe ato para”.