Ish-deputetja e PD-së Albana Vokshi denoncoi ditën e sotme se rreth 1 mijë nxënës të shkollës Qazim Turdiu detyrohen të udhëtojnë kilometra të tërë për të shkuar në një shkollë në Laprakë.
Sipas Vokshit, kjo ndodh pasi shkolla “Qazim Turdiu” u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit dhe nuk u rregullua nga qeveria. Referuar kësaj, Vokshi u shpreh se “Partia Demokratike ka një plan te mirëfilltë për arsimimin cilësor dhe të barabartë të çdo fëmije, në shkolla me infrastruktura moderne ku plotësohet çdo standard europian, me vakte ngrënie, me tekste falas dhe me transport te dedikuar”.
“Jam këtu me banor të zonës, përballë shkollës ‘Qazim Turdiu’. Është njëra prej shumë shkollave të cilat u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit. Një nga 100-ra shkollat te cilat u premtua nga Edi Rama që duhet të ishin hapur në shtator të vitit të kaluar, para fillimit të vitit shkollor 2020-2021. Jam së bashku me prindërit e nxënësve që dikur mësonin në këtë shkollë. Janë gati 1000 nxënës të cilët në vënd që të shkojnë në shkollën e tyre, detyrohen që të udhëtojnë kilometra të tërë për të shkuar në një shkollë në Laprakë. Prindër që detyrohen të lënë punët e tyre për të shoqëruar fëmijët, të cilët mësojnë në disa turne dhe në kushte të cilat nuk plotësojnë protokollet e sigurisë. Pranë meje është një zonjë e cila ështe e detyruar qe fëmijën e saj ta heqni nga shkolla publike dhe ta çoji në një shkollë private, por që është më pranë se shkolla publike ku po shkojnë nxënësit e tjerë”-deklaroi Vokshi.
Vokshi hodhi hije dyshimi për vjedhjen e terrenit të shkollës nga Bashkia për të ndërtuar kulla.
“Në fakt edhe pas ndërtimit të kësaj shkolle ka shumë hije dyshimi, pasi banorët e lagjes denoncojnë që plani i pare i Erion Veliaj ishte për të vjedhur dhe terrenin e kësaj shkolle. Për ta shndërruar dhe terrenin e shkollës ashtu siç ka shndërruar pjesën më të madhe të çdo hapësirë në Tiranë, në kulla të larta”-tha Vokshi.