Vendosni fjalën kyçe....

A po ndryshon modeli ekonomik i vendit?


Përshkallëzimi i krizës e zbehu gradualisht diskutimin rreth modelit ekonomik, por, a ka ndryshuar sadopak struktura e ekonomisë shqiptare në afatin e gjatë? Debati me ekspertët.

Afërsisht një dekadë më parë, Banka e Shqipërisë u shpreh publikisht lidhur me nevojën për të ndërtuar një model të ri ekonomik për Shqipërinë. Mesazhi ishte që ekonomia shqiptare duhet të shkëputej nga një model i mbështetur, në masën dërrmuese, te tregtia dhe konsumi i mallrave të importuara dhe të rriste peshën e sektorëve prodhues në ekonomi.

Përshkallëzimi i krizës e zbehu gradualisht diskutimin rreth modelit ekonomik, por, a ka ndryshuar sadopak struktura e ekonomisë shqiptare në afatin e gjatë? Për këtë qëllim, revista “Monitor” ka marrë në analizë ndryshimet në strukturën e Vlerës së Shtuar Bruto, sipas metodës së prodhimit në 20 vitet e fundit. Të dhënat finale të INSTAT arrijnë deri në vitin 2018 dhe serinë krahasuese e kemi nisur nga viti 1998, kur ekonomia shqiptare sapo kishte nisur të reanimohej nga kriza e rëndë e vitit 1997.

Shifrat tregojnë se, në thelb, ekonomia shqiptare, në dy dekadat e fundit ka rritur më shumë varësinë nga sektori i shërbimeve. Vitet 2017 dhe 2018 shënuan edhe kontributin më të lartë të shërbimeve në ekonomi për 20 vitet e fundit, sipër nivelit të 54%. Për periudhën 2009-2018, shërbimet kanë sjellë mesatarisht rreth 52.5%, nga 50.5% që kishte qenë në periudhën 1998-2008.

Degët prodhuese të ekonomisë, të marra së bashku, përfshirë bujqësinë për 10 vitet e fundit të mbuluara nga statistikat, kanë sjellë një kontribut mesatar prej rreth 35.2%, nga 34.2% në dekadën pararendëse. Ndërkohë, kontributi i sektorit të ndërtimit në 10 vitet e fundit ka rënë në 12.6%, nga 15.7% në periudhën 1998-2008. Në një këndvështrim të përgjithshëm, ajo që vërehet në dekadën e fundit është rënia e peshës së sektorit të ndërtimit, me zëvendësim të kontributit të këtij sektori sidomos nga shërbimet dhe më pak nga prodhimi.

Pesha e bujqësisë ka rënë ndjeshëm 

Bujqësia ka qenë historikisht sektori më i madh në ekonominë shqiptare dhe i tillë ngelet edhe sot. Por, pesha specifike e bujqësisë në vlerën e shtuar të prodhuar në vend është ndjeshëm më e ulët krahasuar me 20 vite më parë. Në vitin 1998, bujqësia sillte pothuajse 33% të prodhimit në vend. Në vitet pasardhëse, rimëkëmbja e sektorëve të tjerë nga shoku i vitit 1997 bëri që pesha specifike e bujqësisë të binte gradualisht.

Ky sektor preku pikën më të ulët në vitin 2009, me rreth 19.4% të vlerës së shtuar në ekonomi. Gjatë dekadës në vijim, bujqësia shënoi përmirësim të lehtë, duke qëndruar përgjithësisht në intervalin mes 21% dhe 23% të VSHB-së. Në tre vitet e fundit (2016-2018), megjithatë, bujqësia sërish ka shfaqur një tendencë në rënie në peshën specifike në ekonomi.

Megjithëse bujqësia është ndër sektorët ku politika tenton të vërë më shumë në dukje arritje, në vitet e fundit ajo po rritet me ritme më të ulëta se pjesa tjetër e ekonomisë. Ky sektor vuan nga parcelizimi, konkurrueshmëria e ulët dhe probleme të thella strukturore, që e bëjnë të vështirë mbështetjen me financime.

Zhvillimi i bujqësisë është tentuar të nxitet me skema vjetore mbështetjeje, por që, po të shohim rritjen e sektorit në vitet e fundit, nuk kanë dhënë rezultate shumë të kënaqshme. Duke filluar nga viti 2021, qeveria ka rikthyer një skemë të nxitjes së sektorit nëpërmjet dhënies së karburantit pa akcizë. Kjo lëvizje synon të ulë kostot dhe të rrisë konkurrueshmërinë e prodhimit bujqësor.

Nafta pa akcizë është një incentivë e provuar më parë, deri në vitin 2005. Në atë rast, skema solli më shumë abuzime, sesa përfitime në kuptimin e konkurrueshmërisë së sektorit. Në buxhetin 2021, bujqësia do të përfitojë rreth 13 miliardë lekë, nga të cilat 7.6 miliardë lekë do të jenë investime dhe 5.2 miliardë lekë mbështetje direkte. Pritet që shpenzimet për bujqësinë ndaj totalit të shpenzimeve buxhetore të rriten në 3.8%, nga 3.2% që parashikoheshin në buxhetin e vitit 2020.

Ndërtimi në ngritje të lehtë, por larg pikut të 2017

Zhvillimi i sektorit të ndërtimit ka qenë, në njëfarë mënyre, simbol i modelit ekonomik që u formula në Shqipëri në fundin e viteve ’90 dhe fillimin e viteve 2000. Ky sektor njohu një shpërthim për shkak të zhvendosjeve të mëdha demografike nga zonat rurale dhe periferike drejt qyteteve të mëdha të vendit.

Ai u nxit edhe nga nevoja për ngritjen e kapaciteteve turistike dhe për të shfrytëzuar potencialet e mëdha ekonomike që ofronte bregdeti shqiptar. Një faktor tjetër që nxiti investimet në ndërtim ishte prapambetja e madhe e infrastrukturës, që shtronte nevoja të mëdha për investime publike, sidomos në rrugë.

Të gjithë këta faktorë, bënë që pesha e ndërtimit në ekonominë shqiptare të rritej ndjeshëm nga 8.13% në vitin 1998, në një nivel piku prej 18.31% në vitin 2007. Sidomos pas vitit 2010, pesha e ndërtimit filloi një rënie domethënëse. Ajo u shkaktua nga ngopja e tregut të ndërtimit, por edhe nga kontributi më i kufizuar i sektorit publik, për shkak të rritjes së shpejtë të borxhit.

Ndërtimi arriti pikën më të ulët në vitin 2014, me 9.87% të PBB-së, për t’u rimëkëmbur lehtë gjatë viteve në vijim, ku ka qëndruar pak sipër nivelit prej 10% të VSHB-së. Rimëkëmbja e ndërtimit duket se është përcaktuar sidomos nga kthimi i investimeve në segmentin rezidencial, ku sidomos në kryeqytet, në pesë vitet e fundit, është regjistruar rritje e shpejtë e çmimeve. Rritja e ofertës së ndërtimit dhe sidomos e çmimeve nuk gjen shumë mbështetje në faktorët thelbësorë ekonomikë.

Mes ekspertëve dhe agjentëve të tregut, përgjithësisht ekziston një konsensus se rritja e ndërtimit gjatë viteve të fundit është mbështetur shumë nga kanalizimi në këtë sektor i parave prej aktiviteteve të jashtëligjshme. Ndikim pozitiv, gjithsesi, ka dhënë edhe rritja e ofertës për kredi hipotekore nga sektori bankar dhe normat e ulëta historike të interesit, që i kanë bërë më tërheqëse investimet në pasuri të paluajtshme.

 

Industria është rritur, por medalja ka edhe një anë tjetër

Një tregues i rëndësishëm i zhvillimit të një ekonomie është shkalla e industrializimit. A është sot Shqipëria një ekonomi më e industrializuar krahasuar me 20 vite më parë? Nëse e thjeshtojmë çështjen, përgjigjja do të ishte po, sot jemi një ekonomi ku industria ka një peshë më të lartë.

Në periudhën 2009-2018, pesha e industrisë nxjerrëse dhe asaj përpunuese në ekonomi ka arritur në një nivel mesatar prej 9.1%. Në fundin e viteve ’90 dhe fillimin e viteve 2000, pesha e këtyre sektorëve në ekonomi ishte pranë nivelit të 6% (6.4% për periudhën 1998-2008). Një përmirësim i ndjeshëm u pa sidomos pas vitit 2011, kur pesha e industrisë në ekonomi, për herë të parë në epokën postkomuniste arriti nivele dyshifrore.

Kontributi më i lartë i industrisë në ekonomi u arrit në vitin 2014, me mbi 11.8% të VSHB-së, ndërsa pas këtij viti, pesha specifike e industrisë në ekonomi pësoi sërish rënie. Periudha e pikut të “industrializimit” të ekonomisë në fakt përkon me rritjen e peshës së industrisë nxjerrëse, që për periudhën 2012-2015 arriti të sillte nga 5% deri në 6% të vlerës së shtuar në ekonomi.

Kjo vë në dukje edhe anën tjetër të medaljes, që në fakt rritja e peshës së industrisë në ekonomi lidhet shumë me shfrytëzimin e lëndëve të para dhe sidomos të naftës bruto. Shfrytëzimi është një proces i fundmë dhe me cikle, në varësi të ecurisë së çmimeve të lëndëve të para, që përcakton edhe ciklin e investimeve dhe të prodhimit. Shfrytëzimi i pasurive nëntokësore dhe eksportimi i tyre pa vlerë të shtuar sjell përfitime më të vogla për ekonominë.

Segmenti që sjell më shumë vlerë të shtuar, industria përpunuese, në fakt, ka një rritje më modeste. Për periudhën 2017-2018, industria përpunuese kaloi për herë të parë kufirin e 7% të VSHB-së. Njëzet vite më parë, industria përpunuese përbënte afërsisht 5% të prodhimit në ekonomi. Këto shifra tregojnë se industrializimi i mirëfilltë i ekonomisë është ende i zbehtë dhe i ngadaltë.

Gjithashtu, industria përpunuese ka një anë tjetër të medaljes. Në pjesën më të madhe, industria përpunuese përbëhet nga sektori i fasonerisë, që shfrytëzon krahun e lirë të punës për të punuar me porosi nga jashtë. Kjo praktikë përbën themelin e industrisë së veshjeve, këpucëve, përpunimit të peshkut dhe asaj automotive në Shqipëri.

Në këto aktivitete, vetëm një pjesë e kufizuar e vlerës së shtuar krijohet dhe ngelet në vend. Studimet krahasuese tregojnë se industria përpunuese në Shqipëri ka nivele të dobëta produktiviteti, çka mund të shpjegohet kryesisht me faktin se këto biznese tentojnë ta mbështesin konkurrueshmërinë te krahu i lirë i punës, pa u orientuar shumë drejt investimeve që mund të rrisin automatizimin dhe përdorimin e teknologjive të reja në prodhim.

Energjia nuk arriti peshën e një “superfuqie” energjetike

Brenda industrisë, sektori energjetik ka nevojë për një këndvështrim të veçantë, për shkak të karakteristikave dhe problemeve specifike. Në pjesën më të madhe, ky është një sektor në pronësi të qeverisë dhe që funksionon kryesisht me çmime të rregulluara nga entet publike. Në 20 vitet e fundit, sektori ka vuajtur problemet e keqmenaxhimit dhe varësisë së lartë nga burimet hidrike.

Në tërësi, pesha e këtij sektori në ekonomi ka një rritje të lehtë, duke reflektuar edhe përmirësimet e vogla dhe të ngadalta në zhvillim dhe menaxhim. Sidoqoftë, ky sektor ka ende luhatje të mëdha nga viti në vit, të lidhura kryesisht me prurjet hidrike që janë përcaktuese në nivelin e prodhimit. Mesatarja e peshës së sektorit të energjisë dhe ujit në VSHB për periudhën 2009-2018, ishte rreth 3.64%, nga 3.33% që ishte mesatarja e viteve 1998-2008.

Kontributi më i lartë i energjisë në ekonomi u regjistrua në vitin 2016, me 4.68%. Megjithatë, në vlera relative, rritja mesatare e peshës së sektorit energjetik në ekonomi është e vogël. Pas vitit 2007, nisi një proces i vrullshëm koncesionesh për ndërtimin e hidrocentraleve të reja. Me gjithë rritjen e kapacitetit të instaluar dhe prodhimit nga këto impiante, pesha e sektorit në ekonomi është tregues i një “superfuqie energjetike”, që ishte edhe slogani politik i fushatës së koncesioneve në këtë sektor.

Tregtia është stabilizuar pranë nivelit 12%

Tregtia sot ka një peshë më të ulët në ekonominë shqiptare nga sa ishte 20 vite më parë. Megjithatë, ky mbetet sektori i dytë më i madh i ekonomisë shqiptare, pas bujqësisë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në dekadën e fundit, pesha e tregtisë kundrejt Vlerës së Shtuar Bruto është stabilizuar në intervalin midis 12% dhe 13%. Në fund të viteve ’90, tregtia përbënte afërsisht 20% të prodhimit vendas, me një tendencë graduale në rënie në dekadën e parë të mijëvjeçarit të tretë.

Në terma relativë, rënia është më e ndjeshme në segmentin e tregtisë me pakicë, që aktualisht përbën rreth 3.8% të VSHB-së, nivel ky pothuajse në gjysmën e atij të shënuar në fillim të viteve 2000. Tregtia me shumicë, në vitet e fundit, është luhatur në intervalin midis 7% dhe 8%, nga rreth 11% që zinte në ekonomi rreth 20 vite më parë.

Sektori financiar arriti majën në vitin 2008

Pesha e sektorit financiar në ekonominë shqiptare ka ndjekur, në mënyrë pak a shumë proporcionale, trajektoren e zhvillimit të sistemit bankar në vend, që ngelet segmenti me peshën dërrmuese në të. Në fund të viteve ’90, sektori financiar jepte vetëm 1% të kontributit në krijimin e vlerës së shtuar në ekonomi. Pas vitit 2004, pesha e sektorit në ekonomi filloi të rritej ndjeshëm.

Në vitin 2008, viti i shpërthimit të krizës financiare, sektori financiar arriti peshën më të lartë në ekonominë shqiptare, me 3.24%. Pas vitit 2009, pesha e këtij sektori në ekonomi pësoi rënie dhe gjatë dekadës në vijim, përgjithësisht ka qëndruar në intervalin mes 2.6% dhe 3%.

Rritja e konkurrencës e tkurri peshën e telekomunikacioneve

Një tjetër sektor strategjik i shërbimeve, telekomunikacionet, kanë ndjekur një trajektore të ngjashme me sistemin financiar. Pesha e këtij sektori nisi të rritej në fillim të viteve 2000 dhe arriti nivelin më të lartë prej 4.83% të VSHB-së në vitin 2007. Pasi qëndroi në nivele relativisht të larta edhe në dy vitet në vijim, pas vitit 2010 pesha e telekomunikacioneve në ekonomi pësoi rënie të ndjeshme. Në vitin 2018, sektori përbënte vetëm 1.69% të vlerës së shtuar, niveli më i ulët në 20 vitet e fundit.

Kjo trajektore mund të shpjegohet kryesisht me ciklin e zhvillimit të shërbimeve celulare në vend. Deri në vitin 2010, operatorët siguronin të ardhura dhe fitime të majme, për shkak të konkurrencës së kufizuar në këtë treg. Pas vitit 2010, gjërat ndryshuan rrënjësisht. Hyrja në treg e dy operatorëve të rinj e rriti ndjeshëm konkurrencën dhe shqiptarët shpenzuan më pak për shërbimet e komunikimit të lëvizshëm.

Argëtimi dhe çlodhja e kanë rritur me tre herë peshën në ekonomi

Në harkun e 20 viteve të fundit, ka një tendencë të qartë rritjeje të peshës që zë sektori i arteve, argëtimit dhe çlodhjes në prodhimin kombëtar të vendit. Nga 0.3-0.4% në fillim të viteve 2000, sektori ka arritur në 1.2-1.3% në vitet të fundit. Rritja e peshës së sektorëve të lidhur me argëtimin mund të interpretohet si një tregues i përmirësimit gradual të standardit të jetesës.

Megjithatë, mund të hipotizohet se rritja lidhet edhe me lulëzimin e biznesit të basteve sportive dhe lojërave të fatit. Kur flitet për kumarin, është e vështirë të ndahet ndikimi i shpenzimeve të “qejfit” nga ato të lidhura me “vesin” e lojës, që në vetvete nuk lidhen domosdoshmërisht me rritjen e mirëqenies.

Konsumi sjell mbi 90% të PBB-së

Ekonomia shqiptare mbetet një ekonomi e mbështetur në pjesën dërrmuese te konsumi. Të dhënat e PBB-së, sipas shpenzimeve, tregojnë se në mesataren afatgjatë, konsumi final vazhdon të përbëjë më shumë se 90% të prodhimit të vendit. Për periudhën 2009-2018, kontributi i konsumit në ekonomi ka qenë mesatarisht në nivelin 90.7%, me rënie të lehtë krahasuar me nivelin 92.5% të periudhës 1998-2008.

Komponenti i dytë më i rëndësishëm i kërkesës agregate, investimet, në dekadën e fundit ka pësuar rënie të ndjeshme të peshës specifike, në 26.4%, nga rreth 33.6% në dekadën e mëparshme. Rënia mund të shpjegohet më së shumti me kontributin më të ulët të investimeve publike në ekonomi. Deri në vitin 2009, investimet prekën nivele shumë të larta, të financuara përmes rritjes së borxhit publik, në funksion të ndërtimit të veprave të rëndësishme të infrastrukturës, kryesisht Rrugës së Kombit.

Në dekadën në vijim, formimi bruto i kapitalit fiks ka qenë ndjeshëm më i ulët, pavarësisht rritjes së Investimeve të Huaja Direkte, përfshi këtu vepra të rëndësishme të investimeve në energjetikë, si gazsjellësi TAP dhe HEC-et në kaskadën e lumit Devoll.

Komponenti tjetër me ndikim përcaktues në rritjen ekonomike, eksportet neto, në vitet e fundit kanë shënuar përmirësim të ndjeshëm. Megjithëse historikisht me kontribut negativ, për vitin 2018 ky kontribut negativ ra në -13.67% në vitin 2018, niveli më i ulët në epokën postkomuniste. Për periudhën 2009-2018, kontributi mesatar i eksporteve neto ka qenë negativ mesatarisht për -18.6%, ndërkohë që për periudhë 1998-2008, kontributi i këtij komponenti kishte qenë negativ mesatarisht me -24.2%.

Kjo nënkupton përmirësim gradual të pozicionit të jashtëm të ekonomisë, i nxitur nga rritja e eksportit të mallrave dhe shërbimeve. Përmirësimi ka qenë një faktor i rëndësishëm në performancën e ekonomisë, sidomos pas vitit 2012.

Mbulimi i importeve me eksporte është rritur në dekadën e fundit

Bilanci i jashtëm i ekonomisë ka shenja përmirësimi në dekadën e fundit dhe ngushtimi i kontributit negativ të eksporteve neto në PBB-në e vendit e dëshmon një fakt të tillë. Përmirësimi lidhet, kryesisht, me turizmin dhe shërbimet, por, megjithatë, edhe në tregtinë e mallrave ka disa indikatorë që tregojnë hapa të vegjël përpara.

Një nga treguesit më të rëndësishëm është mbulimi i importeve nga eksportet. Në dekadën e fundit, ky tregues ka shënuar përmirësim të ndjeshëm. Për periudhën 2010-2020, treguesi ka arritur mesatarisht në nivelin 43.1%, nga 25.5% që kishte qenë për dekadën 2000-2010. Niveli më i lartë i mbulimit të eksporteve nga importet u arrit në vitin 2018, me 48.4%, si rezultat i rritjes së eksporteve. Megjithëse në një bilanc të përgjithshëm, aftësia e ekonomisë shqiptare për të mbuluar importet është përmirësuar, në këndvështrimin e ekspertëve, eksportet shqiptare ngelen të brishta dhe me një shkallë të dobët diversifikimi. Ato dominohen kryesisht nga sektori i fasonerisë dhe nga eksportet e lëndëve të para.

Në terma të mirëfilltë teknikë, fasoneria klasifikohet te shërbimet, sepse ajo që realisht eksporton vendi është vetëm puna e përgatitjes së produktit final me kosto më të ulët. Baza e ngushtë  e eksporteve në përgjithësi kushtëzon një sasi relativisht të ulët të vlerës së shtuar dhe të përfitimit ekonomik.

Kjo është arsyeja pse shumica e ekspertëve nuk shfaqin entuziazëm lidhur me rritjen sasiore të eksporteve në vitet e fundit. Po të shohim strukturën e eksporteve shqiptare, ato vazhdojnë të dominohen nga grupet “tekstile dhe këpucë”, “minerale, lëndë djegëse, energji” dhe “materiale ndërtimi e metale”, me rreth 68% të vlerës totale. “Tekstile dhe këpucë” mbetet me avantazh të thellë grupi me peshën kryesore, me gati 38% të eksporteve.

Megjithatë, pesha e këtij grupi ka ardhur në rënie graduale në vitet e fundit, po të kemi parasysh se në vitin 2005 sillte rreth 58% të eksporteve totale shqiptare. Pesha e fasonëve është balancuar sidomos nga eksportet e lëndëve minerale (si dhe energjisë elektrike, në vite të veçanta), që madje në vitet 2012-2013 u bënë grupi me peshën kryesore në eksportet shqiptare.

Sidoqoftë, pesha e tyre ra dukshëm në vitet në vijim. Madje, për vitin 2020, pesha e grupit “minerale, lëndë djegëse, energji” zbriti në 14.6%, niveli më i ulët që prej vitit 2006. Kjo dëshmon se mungesa e një industrie përpunuese konkurruese në vend ngelet pengesë për një shfrytëzim eficient të burimeve natyrore në funksion të rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë të eksporteve.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *