Shteti i dytë më i populluar në Australi, Victoria, ka hyrë sërish në karantinë të shtunën, pasi autoritetet po përpiqen për të parandaluar një valë të tretë të rritjes së infektimeve me variantin britanik të COVID-19.
Rrugët në kryeqytetin Melbourne, ishin kryesisht të zbrazura, pasi banorëve u është kërkuar të qendrojnë nëpër shtëpi përveç daljeve për të blerë mallra jetikë, dy orë ushtrime në natyrë, si dhe për punë “thelbësore” që nuk mund të bëhen nga shtëpia.
Ndër punët “thelbësore” është edhe Australian Open, turneu i parë i Grand Slam i tenisit për këtë vit që zgjat deri më 21 shkurt. Turneu po vijon, ndërsa tifozët u ndaluan të hyjnë në stadium deri të Mërkurën më 17 Shkurt.
Karantina në këtë shtet të Australisë, ka sjellë mbylljen e restoranteve dhe bareve, në një kohë kur banorët ishin përgatitur që në fundjave të nisnin festimet për Vitine Ri Hënor dhe Ditën e Shën Valentinit.
Një rast i ri me COVID-19 u konfirmua në 24 orët e fundit, thanë autoritetet shëndetësore në Victoria, duke e çuar numrin e rasteve aktive në shtet në 20.
Melburn vitin e kaluar pësoi një bllokim prej 111 ditësh, një nga më të rreptët dhe më të gjatët në botë në atë periudhë, për të ndaluar një shpërthim të koronavirusit që çoi në më shumë se 800 vdekje.
Australia vlerësohet ndër vendet më të suksesshme të botës në trajtimin e pandemisë, kryesisht për shkak të bllokimeve vendimtare dhe kufijve të mbyllur për të gjithë, përjashtuar udhëtimet e limituara. Me një popullsi prej 25 milionë banorë, Australia ka pasur rreth 22,200 raste pozitive me COVID-19 dhe 909 vdekje.