Presidenti Meta ka denoncuar ministren e Infrastrukturës lidhur me situatën në vend të krijuar nga stuhitë e reshjeet e borës.
Kreu i shtetit shkruan se edhe pse ka kërkuar marrjen e masave prej disa ditësh, për shkak të reshjeve të pritshme të borës, Ministria e Infrastrukturës në vend të kësaj ka dhënë shfaqje në 3D.
Më tej ai thekson se në datat 12-13 shkurt, rezultoi se asnjë kompani private, as ARRSH-ja e as Agjencia për Mbrojtjen Civile nuk kishin kapacitetet njerëzore apo ato teknike për të zhbllokuar rrugët duke i lënë njerëzit në mes të borës e stuhisë.
“Prej ditësh kam kërkuar të merren masa për përballimin e pasojave nga reshjet e pritshme të dëborës. Kujtoj se në datat 7-8 shkurt, Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit paralajmëroi përkeqësimin e motit, shoqëruar me stuhi të forta. Ndërkohë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, jepte show me projekte në 3D, në vend që të merrte masat e nevojshme duke mbledhur drejtuesit e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe administratorët e kompanive private, me detyrime kontraktore.
Në datat 12-13 shkurt rezultoi se asnjë kompani private, as ARRSH dhe as Agjencia për Mbrojtjen Civile nuk kishin kapacitetet njerëzore dhe teknike, si borëpastruese, fadroma e traktorë, në segmentet rrugore për të operuar qysh në orët e para të dëborës dhe stuhisë, duke i braktisur njerëzit e bllokuar në automjete, që qarkullonin në rrugë.” – shkruan Meta.
Presidenti Meta shton më tej se kompanitë kontraktore për mirëmbajtjen e rrugëve nuk kishin as rezerva kripe edhe pse kanë përfituar milionë euro kontrata për mirëmbajtjen e tyre.
Meta u bën thirrje Ministrive të Mbrojtjes, Infrastrukturës, Brendshm e Bujqësisë për të marrë masat për furnizimin e banorëve të bllokur me ushqime si dhe për lirimin e rrugëve dhe evakuimin e atyre që kanë nevojë.
“Kompanitë kontraktore, rezultuan të mos kishin as rezerva kripe edhe pse kanë përfituar miliona euro kontrata ku deklarohen dhjetëra automjete motorike moderne për operacione në periudha dimri dhe mirëmbajtje rutinë të akseve rrugore. Duke ju referuar edhe paralajmërimit të bërë sot nga IGJEUM, për ngricat që mund të krijojnë probleme të ndryshme dhe vështirësi në transportin rrugor, përsëris apelin drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Infrastrukturës e Energjisë, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë e Bujqësisë për të vendosur komunikimin me strukturat vendore dhe për të përmbushur detyrimet ligjore në ndihmë të popullatës në nevojë, duke marrë të gjitha masat efikase për furnizimin me bazën e nevojshme të ushqimeve, evakuimin në rastet kur kërkohet, si dhe për të garantuar funksionimin normal të akseve rrugore. MBROJTJA E SHËNDETIT DHE JETËS TË ÇDO QYTETARI DUHET TË JETË PRIORITET ABSOLUT!” – mbyll reagimin e tij Meta.